Vazhdohet afati i legalizimeve, 5 vjet shtesë për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje
Vazhdohet afati i legalizimeve, 5 vjet shtesë për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin për legalizim. Ndryshimet e reja parashikojnë që komunat të kenë 5 vjet afat shtesë për legalizimin e objekteve të ndërtuara deri në vitin 2011, pasi ky afat skadonte më 3 mars të këtij viti. Për opozitën, këto ndryshime nuk janë asgjë tjetër përpos mundësi e re për legalizim të objekteve të reja që janë ndërtuar pas vitit 2011 ndërsa krijon hapësirë që të hapen lëndë të reja nëpër komuna.
“Të mendojmë nëse duhet të ndryshojmë sistemin planifikim urbanistik, sistemin e ndërtimit e cila nuk do të varet nga vullneti i partive politike apo bartësve të funksioneve lokale por në korniza ligjore çdokush të ketë qasje të barabartë mbi ndërtimet”, deklaroi Oliver Spasovski – LSDM.
“E tani prioritet i BNJVL është se duhet të vazhdohet ligji që të përfundojë legalizimi i objekteve pa leje, të ndërtohen edhe më tepër ndërtime pa leje, e ato përsëri të kenë mundësi të aplikojnë dhe kuptohet hoteli i Mijallkovit të mundet tërësisht të legalizohet. Pikërisht për shkak këtij ligji, u legalizua diskoteka në Koçan e ku humbën jetën mbi 60 të rinj”, tha Rexhep Ismail – E Majta.
Por nga shumica parlamentare mohojnë një gjë të tillë. Sigurojnë se qëllimi është t’u mundësohet qytetarëve edhe pak kohë të zgjidhin pengesat dhe vonesat administrative.
“Theksohet qartë se zgjatja e afatit nuk krijon mundësi për paraqitjen e kërkesave të reja, pra nuk bëhet fjalë për kërkesa të reja, bëhet fjalë për kërkesa ekzistuese që janë parashtruar deri tani”, u shpreh Bekim Qoku – VLEN.
Nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale bëjnë apel deri te komunat që të mos lejojnë një gjë të tillë. Kanë kërkuar në të kaluarën që si dëshmi të përdoret edhe “Google Maps” por kërkesa e tyre nuk është pranuar.
Në të kaluarën kemi propozuar sigurimin e provave më të forta në procedurat për legalizim, veçanërisht në pjesën e sigurimit të pamjeve nga “Google Maps” dhe ngjashëm, si dëshmi valide, por këto propozime nuk ishin pranuar nga pushteti qendror”, njoftojnë nga BNJVL.
Qëllimi i këtij ligji që për herë të parë u miratua në vitin 2011 ndërsa pësoi ndryshime edhe ne vitin 2018 dhe vitin 2021 ishte që qytetarët të mund të zgjidhin statusin juridik të shtëpive të tyre të ndërtuara pa leje. Por komunat nuk arritën që as për 15 vjet ti mbyllin të gjitha lëndët. /Alsat.mk








