Mucunski nuk konfirmon emrat e ambasadorëve, thotë se mbi 60 për qind janë diplomatë karriere

Mucunski nuk konfirmon emrat e ambasadorëve, thotë se mbi 60 për qind janë diplomatë karriere

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ministri i Punëve të Jashtme Timço Muçunski, konfirmoi se në seancën e fundit të qeverisë janë propozuar disa emra për të plotësuar pozicionet në disa përfaqësi diplomatike dhe konsullore. Megjithatë, ai nuk i zbuloi emrat e tyre, sepse, siç tha ai, ky informacion është i natyrës së klasifikuar.

“Pas marrjes së pajtimit dhe fillimit të procedurave të brendshme në vend, emrat do të konfirmohen sepse ata do të duhet të mbrojnë tezat e tyre para Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlament. Ajo që mund të konfirmoj është se 60 për qind e kandidatëve të rinj për ambasadorë dhe konsuj të përgjithshëm janë diplomatë profesionistë nga radhët e punonjësve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme me një karrierë të pasur diplomatike prej më shumë se 20 vitesh”, deklaroi Timço Mucunski, Ministër i Jashtëm.

Qeveria, sipas raportimit jozyrtar të mediave, miratoi një listë prej nëntë ambasadorësh të rinj si dhe dy konsuj të përgjithshëm. Muharem Jusufi është propozuar për ambasador në Suedi, ndërsa ish-Ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani largohet për t’u bërë ambasador në selinë e NATO-s në Bruksel.

Ish-ambasadori në Ukrainë Krum Efremov është propozuar për ambasador në Sofje, Gabriel Atanasov nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme është propozuar në Rumani, dhe Katerina Todorovska është propozuar për ambasadore në Prishtinë. Linda Salieska-Iljazoska nga Ministria e Punëve të Jashtme është propozuar për pozicionin e ambasadores në Hagë, ndërsa Ilina Mangova, e cila vjen nga sektori joqeveritar, është propozuar për ambasadore në Londër. Tomislav Dimitrovski propozohet për konsull në Selanik dhe Aleksandar Krstevski në Melburn, të dy nga Ministria e Jashtme.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova tha se pret që në të ardhmen 70 për qind e tyre të jenë diplomatë të karrierës.

“Unë vlerësoj se është më mirë që gjatë mbushjes së vendeve të zbrazëta të fillojmë që theksin ta vendosin te diplomatët e karrierës. Për ne është shumë e rëndësishme se kush na përfaqëson jashtë shtetit, prandaj në propozimet e fundit ka edhe njerëz nga sektori civil të cilët janë njohës të jashtëzakonshëm të problemeve që duhet t’i përfaqësojnë jashtë”, tha Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.

Më herët nga qeveria janë propozuar Vele Tërpevskit si ambasador në Tiranë, Andrijana Cvetkoviç në Tokio, Dimitar Blazevski në Kiev dhe Fadil Zendeli në Kopenhagë. Ata akoma presin daljen e tyre para komisionit në Kuvend. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button