Gazetar: Isuf Kadriu
Avionët rusë kanë vazhduar me bombardimet në qytetin Zhytomyr ndërsa zjarri i artilerisë vazhdonte të godiste periferitë e kryeqytetit Kievi dhe Kharkivit, qytetit të dytë më të madh të vendit, shkruan Alsat.
Në shënjestër të sulmeve kanë qenë edhe objekte civile, sipas autoriteteve lokale të cilët njoftojnë për viktima dhe të plagosur
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë sot publikoi pamje të reja të sulmeve nga ajri. Në tekstin shoqërues, thuhej se “ekuipazhet e helikopterëve luftarak modernë Mi-28n dhe Ka-52 nisën sulme ajrore në fortifikimet dhe mjetet e blinduara të Forcave të Armatosura të Ukrainës”.
Ndërkohë edhe forcat ukrainase kanë vazhduar me rezistencën ndërsa sërish kanë përdorur dronët turq, Bajraktar për të sulmuar kolona të automjeteve ushtarake ruse si dhe sistemet raketore.
Në sulmet ajrore me dron janë goditur edhe disa autostrada në hyrje të Kievit për ti pamundësuar forcave ruse depërtimin në kryeqytetin ukrainas, që tashmë është në gatishmëri për përballje të ashpër me agresionin rus.
Uashingtoni ka refuzuar propozimin e Varshavës për transferimin e avionëve polakë luftarakë MiG-29 në Ukrainë përmes bazës ushtarake amerikane në Gjermani, teksa Perëndimi po tenton të gjejë mënyra për ta ndihmuar Kievin që t’i kundërvihet pushtimit rus, por ka frikën e përfshirjes në një luftë me Moskën, e cila ka armë bërthamore. Zëvendëspresidentja e SHBA-së Kamala Harris gjatë vizitës në Poloni nuk saktësoi se si do ti ndihmohet Ukrainës pas refuzimit të propozimit polak. Në fjalimin e saj, Harris u ndalë më shumë në guximin e popullit të Ukrainës përball agresionit rus.
Kamala Harris, Zëvendëspresidente e SHBA-së “Sytë e botës janë te njerëzit e guximshëm të Ukrainës. Ata po luftojnë. Ata po luftojnë jo vetëm për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet e tyre, por për të mbrojtur demokracinë e tyre, lirinë e tyre, sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial. Dhe ne qëndrojmë me ta. Ne qëndrojmë me popullin e Ukrainës në këtë luftë”.
Vlerësimi zyrtar i SHBA-së për numrin e rusëve të vrarë në dy javët e para të luftës është nga 5,000 deri në 6,000. Numri i trupave ruse të plagosur vlerësohet të jetë rreth 15,000 deri në 18,000. Ukraina ka pohuar se 12,000 ushtarë rusë kanë vdekur në luftime. Por, javën e kaluar Rusia tha se më pak se 500 trupa të saj kishin vdekur në Ukrainë ndërsa humbjet në radhët e forcave ukrainase, sipas Moskës janë shumë herë më të mëdha. Moska pretendon të ketë shkatërruar kapacitetet kryesore të armatës ukrainase./ Alsat.mk








