Vazhdojnë përplasjet mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së rreth çështjes së migrantëve

Vazhdojnë përplasjet mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së rreth çështjes së migrantëve

Gazetare: Fatlume Dervishi

LSDM-ja thotë se çështja e migrantëve duhet të zgjidhet në Parlament, dhe jo nëpër këshillat komunal, ashtu siç thotë VMRO-DPMNE. Sipas tyre, që qytetarët të binden se nuk ka marrëveshje për strehimin e migrantëve në vend, duhet të miratohet Rezoluta.

“Çështja e migrantëve është shtetërore. Për atë duhet të vendosë Kuvendi dhe jo komunat veç e veç ose këshilltarët e VMRO-DPMNE-së. Kryeministri Hristijan Mickoski e shohim se me ditë refuzon të japë një përgjigje të thjeshtë, a do ta firmosë Rezolutën me të cilën qytetarët do të jenë të sigurt se migrantë për para në Maqedoni nuk do të ketë. Në vend të përgjigjes nga Mickoski shohim justifikime, shtyrje dhe përpjekje që tema të kalohet në nivel lokal”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.

VMRO-DPMNE-ja thotë se Filipçe që sot është kundër migrantëve, dikur kishte pranuar ndërtimin e kampit në Bardovcë. Kjo parti paralajmëroi dokument nga këshilltarët e tyre në këshillat komunat, me të cilin do të zotohen se në territorin e atyre komunave, nuk do të ndërtohen kampe migrantësh. Një ditë më parë Mickoski tha se pavarësisht se ka përgënjeshtruar opozitën, LSDM-ja vazhdon të ngjallë frikë dhe ftoi prokurorinë ta ndjekë atë penalisht, sipas Kodit penal dhe neneve për ngjallje të frikës.

“Histeria, paniku dhe lajmet e rreme që i krijon LSDM-ja, rrënohen si shtëpi letrash. VMRO-DPMNE-ja edhe atëherë, edhe tani dhe gjithmonë do të ndjekë politikë anti migrantësh. Ja dy ditë hesht Filipçe për temën joekzistente të migrantëve. Pasi i thamë qëllimet e tyre të vërteta, ata ikin edhe nga gazetarët dhe fshihen në Bihaçka”, tha Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.

Tema e migrantëve u hap pasi javën e kaluar disa media britanike njoftuan për një marrëveshje të mundshme mes qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe të Maqedonisë për deportimin në vend, të azilkërkuesve që qeveria britanike ka refuzuar. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button