Vazhdojnë përplasjet mes Myftinisë dhe autoriteteve komunale në Tetovë për grumbullimin e parave nga tregtarët
Vazhdojnë përplasjet mes Myftinisë dhe autoriteteve komunale në Tetovë për grumbullimin e parave nga tregtarët
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Inspektorati komunal i tregut në Tetovë vijon kontrollet te pazari i ashtuquajtur i “grave” për të penguar Myftininë që t’u marr para në mënyrë joligjore tregtarëve. Por, Myftinia jo vetëm që shpërfill autoritetet komunale, gjithashtu pengon inspektorët të kryejnë punën e tyre në terren. Shefi i inspektoratit komunal denoncoi në polici edhe rastin e disa ditëve më parë kur një inspektor ishte ngujuar për 1 orë nga të punësuar në Myftini.
“Gjatë kontrollit tonë kemi hasur edhe në probleme. Persona të pandërgjegjshëm që njihen si të punësuar tek Myftinia e Tetovës, i bëjnë pengesë inspektoratit për daljen tonë për të kryer aksionin. Para disa javësh inspektorati komunal të enjten kur kontrollonim këtu kemi hasur probleme, një rast madje e kemi lajmëruar edhe tek policia, sepse një inspektor ka qenë i ngujuar nga disa persona që zhvatin qytetarët në mënyrë të paligjshme”, deklaroi Armend Salihi, Shef i inspektoratit komunal Tetovë.
Nga ana tjetër me reagim kanë dalë edhe nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova. Ata thonë se ka pasur kontratë për bartjen e mbetjeve që krijohen të enjteve, por sipas drejtorit të NPK “Tetova”, kjo kontratë ka të bëj me bartje mbetjesh e jo me autorizim të dikujt për të organizuar treg apo mbledhur të holla. Kontrata pritet sot të prishet.
“NPK Tetova ka pasur një kontratë në vitin 2004 me kohëzgjatje prej një viti, por, nuk do të thotë që nëse ka një kontratë për mbledhje të mbeturinave ata të grumbullojnë të holla prej qytetarëve. Kontratë me kërkesë të tyre është normale, secili komintent apo veprimtari bën kësi kontratash për grumbullim të mjeteve dhe ndërmarrja e kryen atë shërbim. Sikur myftinia ne kemi shumë komintent të tjerë që ua bëjmë këtë shërbim. BFI-Tetovë, madje ka gati dy vite që edhe nuk e paguan këtë shërbim dhe figuron aty borxh prej 350.000 denarë. Kontrata është në proces të prishjes së saj edhe pse afati i ka skaduar që nga 2005”, tha Samet Bislimi, Drejtor i NPK “Tetova”.
Nga komuna e Tetovës, po ashtu kanë bë të ditur se rastin e kanë lajmëruar edhe në organet kompetente, që të merren masa ligjore ndaj atyre që mbledhin të hodha pa autorizim dhe pa të drejtë nga ana e tregtarëve që shesin ditëve të enjte. /Alsat.mk