Vazhdon fushata për zgjedhjet parlamentare

Vazhdon fushata për zgjedhjet parlamentare

Gazetar: Lluka Andrev

Në tubimin në Krushevë, LSDM-ja theksoi se vota e vërtetë socialdemokrate është votë për LSDM-në. Ata rikujtuan një pjesë të masave sociale të cilat, siç thonë, janë realizuar pavarësisht bllokadës nga opozita.

“A është gabim që tani kemi pagë minimale prej 22.500 denarë? A është gabim që e rritëm ndihmën sociale për 300%… që nga viti 2017 deri më sot kemi ndërtuar 84 kopshte, që kemi bërë të qëndrueshëm fondin pensional?”, tha Bisera Kostadinovska Stojçevska – LSDM.

Koalicioni VLEN theksoi se kanë program praktik dhe pragmatik, me vizion për qytetarët. Ata sot protestuan kundër hapjes së bastoreve dhe kazinove në Çarshinë e Shkupit.

“Para disa vitesh në këtë objekt i kemi vendosur studimet e disperzuara të Universitetit të Tetovës. Studentët këtu dhe shpirti studentor e rikthyen frymën e Çarshisë së Vjetër. Sot mund të konstatojmë se Çarshia është shumë e ngarkuar si për turistët ashtu edhe për qytetarët tanë, por fatkeqësisht këtu ku ishin studentët sot ka vetëm bastore dhe kazino”, tha Izet Mexhiti – koalicion VLEN.

Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE-ja u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për ndryshime dhe reforma. Ai paralajmëroi 800 milionë euro ndihmë direkte për fermerët dhe blegtorët.

“800 milionë euro për subvencione në kohë dhe subvencione të rritura. 5.5 milionë euro ndihmë direkte për komunën e Berovës. Krahas kësaj, planifikojmë zhvillimin infrastrukturor të kësaj zone. Do të restaurojmë rrugën Berovë – Strumicë, do të rindërtojmë rrugën Berovë – Vinicë me mundësi zgjerimi me korsi të tretë”, shtoi Dragan Kovaçki – VMRO-DPMNE.

BDI-ja bëri thirrje për mobilizim, sepse, siç thonë ata, kundërshtari kryesor i tyre në zgjedhjet parlamentare është koalicioni VMRO-DPMNE.

„Gara politike midis Frontit dhe atyre që s’vlejnë, më 24 prill, populli dha mandatin dhe caktoi verdiktin. Duhet që nga sot, deri më 8 maj, sa më shumë të fuqizojmë votën e frontit kundrejt VMRO-DPMNE-së“, theksoi Jeton Shaqiri – BDI.

Nga ana tjetër, E Majta kërkoi nga qytetarët që të mbështesin partinë, pasi siç thonë ata janë opsioni i vetëm i pagabueshëm në interes të interesave nacionale.

“Tashmë duhet votuar për të Majtën, që lufta në Kuvend të vazhdojë. Ne, së bashku me kryetarin Apasiev, në 4 vitet e fundit të mandatit tonë, kemi treguar se disa gjëra mund të ndryshohen, se deputetët mund të mos marrin shpenzimet e udhëtimit, se mund të luftojnë për interesat reale të popullit maqedonas, dhe tani e kemi patjetër të jemi numër dyshifror për ta vazhduar luftën”, tha Borislav Krmov – E Majta./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button