Vazhdon hallakama për incidentin në aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës

Vazhdon hallakama për incidentin në aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës

Është zbardhur raporti për incidentin e 1 gushtit në Aeroportin e Shkupit.

Agjencia e Aviacionit Civil thotë se shërbimet e sigurisë në Aeroportin e Shkupit kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe në përputhje me rregullat ndërkombëtare lidhur me rastin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas Agjencisë, ekipi i inspektorëve nuk ka gjetur parregullsi, ndërsa vihet në dukje se ky nuk është rasti i parë që Vjosa Osmani të ketë refuzuar kontrollet e sigurisë në aeroport.

“Një ekip i inspektorëve të Agjencisë së Aviacionit Civil ka kryer kontroll të serishëm të provave dhe mbikëqyrje të jashtëzakonshme në “TAV Maqedoni, lidhur me ngjarjen e pahijshme ku ishte e përfshirë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.  Është konstatuar se shërbimet e aeroportit, përgjegjëse për kontrollet e sigurisë, në kuadër të detyrave të tyre të punës kanë vepruar në mënyrë profesionale, duke mos lejuar shmangien e standardeve dhe procedurave, madje edhe nën ndikimin e personave të cilët kanë shoqëruar udhëtaren. Refuzim i zbatimit të kontrolleve standarde të sigurisë me udhëtarët e njëjtë, sipas evidencës ka ndodhur edhe në vitin 2022 dhe 2023, kur kontrolle të sigurisë janë pranuar vetëm pasi drejtuesi i Aviacionit ka refuzuar t’i pranojë udhëtarët pa kontroll të sigurisë. Si trup i pavarur rregullator dëshirojmë të mbesim jashtë përplasjeve politike për këtë rast të pahijshëm”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Aviacionit Civil.

Ka reaguar presidenca e Kosovës, duke këmbëngulur sërish se Maqedonia e Veriut ka shkelur rregullat ndërkombëtare.

”Në asnjë vend të botës, kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim. Në shtete të tjera nuk kontrollohet as bagazhi personal e as çanta personale e kreut të shtetit e lëre më telefoni personal. Nga dhjetëra vende që kemi vizituar deri sot, RMV është i vetmi shtet në botë që refuzon të aplikojë të drejtën dhe konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me kreun e shtetit. Presidentja e ka vendosur në kontroll çantën e saj dhe ajo e ka kaluar skanerin. Çdo deklaratë tjetër është propagandë për qëllime politike. Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit që i del përpara kreut të një shteti dhe ia bllokon lëvizjen pasi ta ketë vendosur edhe çantën në skaner”, theksohet në reagimin e presidencës së Kosovës.

Incidenti në Aeroportin e Shkupit ndodhi më 1 gusht kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deri sa po udhëtonte për në Lubjanë u gjet në një incident, ndërsa për të qartësuar situatën, Osmani kishte kërkuar ndihmën e kryeparlamentarit Afrim Gashi i cili kishte dërguar truprojat e tij që të zgjidhin rastin. Pak ditë më parë Ministria e Brendshme ngriti kallëzim penal ndaj shefit të sigurimit të kryeparlamentarit Gashi. Ai u pezullua nga puna dhe do të ndiqet penalisht për cenim të sigurisë. Procedurë disiplinore u ngrit edhe ndaj dy policëve. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button