Vazhdon hetimi për aksidentin fatal në Çerkez të Kumanovës ku humbi jetën 13-vjeçari Agan Asani

Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi

Gati dy javë pas aksidentit në fshatin Çerkez të Kumanovës ku u godit për vdekje 13 vjeçari Agan Asani, akoma nuk ka përfunduar hetimi. Organi i akuzës në Kumanovë është duke mbledh provat që do të çojnë deri në zbardhjen e rastit. Nga rrethanat e deritanishme, në rrugë jo zyrtare mësohet se 13 vjeçari u godit me makinë nga bashkëfshatari i tij me inicialet F. S 25 vjeçar i pajisur me patentë shoferi në vitin 2022.

Televizioni Alsat ka arritur deri te disa dëshmi materiale nga momenti i aksidentit. Për shkak të mos cenimit të hetimit, video incizimi nga momenti i aksidentit nuk do të bëhet publik. Megjithëse në të dëshmohet fakti se vetura ka qenë mbi shpejtësinë e lejuar në një aks ku shpejtësia maksimale është 30 km/h, ndërsa vetëm disa metra më poshtë ka të vendosur pengesa për përshtatjen e shpejtësisë me sinjalistikën rrugore.

Nuk dihet nëse hetimi ka arritur ta dëshmon shpejtësinë e lëvizjes, gjendjen e shoferit dhe analizat shtesë laboratorike, por ajo që është mësuar nga dëshmitarët okularë është se shoferi nuk ka ndaluar për t’i ofruar ndihmë viktimës dhe është kthyer disa minuta më vonë kur trupi i tashmë të ndjerit ishte nisur për në Urgjencë, por fatkeqësisht nuk i kishte mbijetuar plagëve të marra.

Në pyetjet e drejtuara nga Televizioni Alsat, Prokuroria Publike sot u përgjigj shkurt se hetimi akoma vazhdon. Agan Asani u godit për vdekje më 28 maj në ora 21:05 minuta në fshatin Çerkez, apo ndryshe e njohur si rruga e vjetër për në Shkup./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button