Gazetare: Xhesika Sallahi
Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, ka vdekur në burg. Në deklaratën e Shërbimit Federal të Burgjeve u tha se Navalny u ndje keq, pas ecjes dhe më pas humbi vetëdijen. Media shtetërore, TASS, citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është informuar për raportimet lidhur me vdekjen e Navalnyt dhe se ai nuk kishte informacione për shkakun e vdekjes së tij.
Vdekja e kritikut të Putinit, Alexei Navalny ishte “vrasje”, tha redaktori i gazetës ruse dhe laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Dmitry Muratov i cili më 1 shtator u shpall nga autoritetet ruse si një “agjent i huaj” për promovimin e “opinioneve që synojnë të formojnë një qëndrim negativ ndaj politikës së brendshme dhe të jashtme të Rusisë”.
Avokati Leonid Solovyov tha për Gazetën Novaya se me kërkesë të familjes, ai nuk do të komentojë raportimet për vdekjen e Navalnyt. “Me vendim të familjes së Aleksei Navalnyt, unë nuk do të komentoj për asgjë. Aleksei u takua me një avokat më 14 shkurt. Gjithçka ishte në rregull”, citohet të ketë thënë Solovyov.
Këshilltari i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan, tha për NPR se nëse konfirmohet, vdekja e Navalnyt do të ishte “një tragjedi e tmerrshme”.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, e cilësoi Navalnyn si një trim “që ia dedikoi jetën shpëtimit të nderit të Rusisë”. “Përderisa po presim informacione të mëtejme, le të jemi të qartë: kjo është përgjegjësi e Putinit”, tha ai.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Navalny bëri “sakrificën përfundimtare” në luftën e tij për “vlera të lirisë dhe demokracisë”.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Navalny “ka paguar për guximin e tij me jetën e tij”, ndërkaq ministri i Jashtëm i Francës, Stephane Sejourne, shkroi në X se “vdekja në burg [e kritikut të Kremlinit] na kujton të gjithë ne realitetin e regjimit të Putinit”.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu “pikëllim” dhe shqetësim lidhur me raportimet për vdekjen e Navalnyt, duke kërkuar që të zbardhet gjithçka lidhur me këtë rast.
Më 14 shkurt, autoritetet kishin njoftuar se Navalny ishte dërguar në izolim për të 27-herë që kur ishte burgosur tri vjet më parë. Navalny, i cili ka qenë afër vdekjes, pasi është helmuar me agjent të tipit Noviçok, më 2020 – për çka i kishte fajësuar operativët rusë të sigurisë se kanë vepruar në emër të presidentit rus, Vladimir Putinit – u ndalua më 17 janar 2021, në aeroportin e Moskës, pasi ka arritur aty prej Gjermanisë, ku është trajtuar pas helmimit.
Atij iu shqiptua dënimi prej dy vjetësh e gjysmë burgim për shkelje të kushteve të një lirimi të mëhershëm me kusht, pasi ishte larguar jashtë vendit për trajtim mjekësor. Kremlini ka mohuar se ka pasur gisht në helmimin e Navalnyt.
Në mars të vitit 2022, Navalny u dënua me nëntë vjet burgim për përvetësim dhe mashtrim. Më pas, Fondacioni Kundër Korrupsionit i Navalnyt dhe rrjeti i tij i zyrave rajonale u shpallën “organizata ekstremiste” dhe veprimtaria e tyre u ndalua pas arrestimit të tij. Kjo ngjarje nxiti një hetim të ri ndaj kritikut të Kremlinit nën dyshime për ekstremizëm. Në gusht të vitit të kaluar, një gjykatë e dënoi Navalnyn me 19 vjet burgim nën akuza për ekstremizëm.
Ai dhe ekipi i tij vazhdimisht kanë argumentuar se akuzat ishin të motivuara politikisht dhe organizatat e të drejtave të njeriut e kishin cilësuar Navalnyn si të burgosur politik. Së fundi, Navalny u dërgua të vuante dënimin në burgun famëkeq, IK-3 në Siberi, i njohur edhe si “Ujku polar”./ Alsat.mk








