Vdiq Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë
Ish-komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar nga një gjykatë ndërkombëtare për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-1995, ka vdekur në moshën 84-vjeçare. Mlladiq ishte dënuar për një akuzë për gjenocid, për pesë akuza për krime kudër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi në Hagë më 2017 – mbi 20 vjet pasi ndaj tij u ngrit aktakuzë. I njohur nga viktimat e tij dhe të tjetër si “kasapi i Bosnjës”, gjykata e gjeti Mlladiqin fajtor për urdhërimin e masakrimit të më shumë se 7.000 burrave dhe djemve në Srebrenicë më 1995, mizoria më e madhe e kryer në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Që nga vendimi i Tribunalit në Hagë, numri i viktimave nga gjenocidi në Srebrenicë është rritur në mbi 8.000. Mlladiq po ashtu u shpall përgjegjës nga Tribunali edhe për rrethimin dhe bombardimin e kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevë – një krim kundër njerëzimit që sipas gjykatës ndërkombëtare rezultoi me vdekjen e 4.548 ushtarëve boshnjakë dhe 4.954 civilëve. Vlerësohet se po ashtu 50.000 persona ishin plagosur gjatë rrethimit.
Tribunali i Hagës konstatoi se kur Srebrenica ra në duart e forcave serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995, Mlladiq dha urdhra të drejtpërdrejta që trupat serbe të Bosnjës të grumbullonin dhe të ekzekutonin burrat dhe djemtë boshnjakë, që po përpiqeshin të largoheshin nga zona. Gjykata po ashtu gjeti se forcat serbe të Bosnjës më pas tentuan të fshihnin dëshmitë e gjenocidit duke rivarrosur trupat e viktimave në varre masive, të shpërndara në zona të izoluara rurale përreth Srebrenicës.
Gjenocidi në Srebrenicë ishte edhe më tronditës për shkak se qyteti ishte vlerësuar nga Kombet e Bashkuara si zonë e sigurt për refugjatët, të cilët po iknin nga lufta në pjesë të tjera të Bosnjë e Hercegovinës. Mlladiq iu shmang arrestimit për 16 vjet me ndihmën e ushtrisë serbe, të aleatëve të tij të kohës së luftës dhe të familjes së tij.
Ai u arrestua në maj të vitit 2011 në fshatin Llazarevo, afër qytetit të Zrenjaninit në veri të Serbisë, pasi një informacion anonim iu dërgua Policisë nga dikush që kishte thënë se kishte parë një burrë që i përngjante në Mlladiqin.
Në qershor të vitit 2021, Gjykata e OKB-së në Hagë refuzoi apelin e dorëzuar nga Mlladiqi dhe konfirmoi vendimin për burgim të përjetshëm. Vitin e kaluar, Tribunali për krime të luftës i OKB-së refuzoi kërkesën e Mlladiqit për lirim urgjent në Serbi për shkaqe shëndetësore./Alsat.








