Veliu: KFOR-i do të rifillojë patrullimet e përbashkëta me Policinë e Kosovës

- Advertisment -


Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, ka deklaruar se gjatë një takimi me komandantin e KFOR-it, gjeneralimajorin Michele Risi, është njoftuar se hyrja e forcave të xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët i këtyre forcave me pjesëtarët e KFOR-it.

“Aktivitete të tilla të sinkronizuara mbahen si me Forcat serbe ashtu edhe ato të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të evitohet çfarëdo përplasje ndërmjet pjesëtarëve të dy forcave”, ka shkruar Veliu ne rrjetin social Facebook.

Ai shtoi se e mirëpret faktin se në të kaluarën janë organizuar patrullime të përbashkëta të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, “duke kërkuar njëkohësisht që patrullimet e tilla të rifillojnë edhe në këtë pjesë të Kosovës, iniciativë e cila u mirëprit edhe nga ana e gjeneralit Risi, i cili tha se janë të gatshëm ta asistojnë Policinë e Kosovës dhe të rifillojnë aktivitetet e tilla”.

Veliu tha se është dakorduar që KFOR-i dhe Policia e Kosovës të takohen dhe të diskutojnë mbi modalitetet për rifillimin e patrullimeve të përbashkëta e të sinkronizuara përgjatë vijës kufitare me Serbinë.

Mediat në Kosovë më 7 gusht raportuan për hyrjen e forcave serbe në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, i njohur me shkurtesën KFOR, deklaroi se më 7 gusht, në Komunën e Kamenicës kanë zhvilluar një patrullë të sinkronizuar me Forcat e Armatosura serbe, përgjatë vijës kufitare administrative, në afërsi të fshatit Hodovc.

LEXO EDHE:

Back to top button