Vendet e G7-s njoftojnë partneritetin e ri botëror

Vendet e G7-s njoftojnë partneritetin e ri botëror

Edhe pse Rusia përbën momentalisht kërcënim më të madh për rendin global, liderët e vendeve më të industrializuar, nuk lënë pa adresuar një tjetër sfidë: Kinën.

Gjatë punimeve të samitit që po mbahet në kështjellën Schloss në Alpet Bavareze, Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi fillimin e një partneriteti global mbi infrastrukturën që synon t’i kundërvihet ndikimit të Kinës në vendet e botës në zhvillim.

Liderët e G7-s detajuan planet për të mobilizuar 600 miliardë dollarë fonde private dhe publike, gjatë pesë viteve të ardhshme, për të financuar infrastrukturën e nevojshme në vendet në zhvillim, nën një iniciativë që synon të sfidojë projektin triliona dollarësh të Kinës “Një brez, një rrugë”. I ashtuquajturi partneriteti për Infrastrukturën dhe Investimet Globale, riprezanton një skemë të zbuluar gjatë takimit të G7-s vitin e kaluar në Angli.

“Në mënyrë kolektive duam të mobilizojmë rreth 600 miliardë dollarë nga G7-a deri ne vitin 2027. Këto investime strategjike do të bëhen në fusha thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për stabilitetin tonë global; shëndetësinë, lidhjen digjitale, barazia gjinore, klima dhe siguria energjetike. Dua të jem i qartë. Kjo nuk është ndihmë apo bamirësi. Është investim që do të sjellë përfitime për këdo”, tha Joe Biden.

Iniciativa disa triliona dollarëshe e Kinës, ka ndihmuar në krijimin e lidhjeve tregtare, por është kritikuar për faktin se ka bllokuar vendet ku është investuar në borxhe të mëdha, duke i detyruar të lëshojnë asete të rëndësishme nëse nuk shlyejnë dot pagesat. Ndërsa skema e propozuar nga Biden, sipas tij do të lejojë vendet të shohin përfitime konkrete të partneritetit me vende demokratike. Mes iniciatiave kryesore përfshihen një projekt me energji diellore ne Angola, një kompleks i prodhimit të vaksinave në Senegal dhe një rrjet telekomunikacioni nënujor prej 1609 km që lidh Singaporin me Francën. /A2CNN

LEXO EDHE:

Back to top button