Venecia kërkon urgjentisht një mijë gondolierë, ata duhet të dëshmojnë se dinë të vozisin

Gondolierët e famshëm venecianë kanë transportuar pasagjerë nëpër kanalet e ngushta prej shekujsh dhe janë një nga simbolet e Venecias. Tashmë kërkohet “përforcim”. Gondolierët duan të zgjerojnë radhët e tyre për të siguruar mbijetesën e profesionit të tyre të lashtë.

Procesi i aplikimit nuk është shumë i thjeshtë dhe duhet pasur parasysh trajnime shtesë. Gondolierët e ardhshëm duhet të regjistrohen në një kurs dhe ata do të kualifikohen vetëm nëse dëshmojnë se dinë të vozisin ose së paku kanë aftësitë e nevojshme për të zhvilluar këtë aftësi, transmeton Poslovni.hr. Për ata që e njohin sistemin e rreptë të testimit të vozitjes në Itali – ky proces është po aq rigoroz. Pjesëmarrësit duhet të kryejnë 30 orë mësime teorike për të mësuar rreth trafikut ujor.

Ata do të mësojnë anglisht dhe frëngjisht, por edhe për historinë, artin dhe kulturën e Venecias, me një fokus të veçantë në mënyrën se si është ndërtuar qyteti, si dhe rrugët ujore përreth qytetit.

Kjo pasohet nga 10 orë stërvitje praktike, e cila përfshin vozitje në gondolë nën mbikëqyrjen e një gondolieri mjeshtër. Dikur në Venecia kishte dhjetë mijë gondola, por sot në qytet kalojnë vetëm 433 gondola. Ky profesion dikur ishte ekskluzivisht mashkullor dhe kalohej nga babai te djali. Por sot gondolat drejtohen edhe nga 14 gra dhe profesioni është i hapur për të gjithë qytetarët e Bashkimit Evropian.

Me rreth 30 milionë vizitorë në Venecia në vit, gondolierët janë shumë të kërkuar. Megjithatë, kërkimi i gondolierëve të rinj nuk lidhet me shërbimin e një numri të madh turistësh, por me dëshirën që ky profesion të mbijetojë.

LEXO EDHE:

Back to top button