Verifikohen mandatet e deputetëve të rinj, pritet formimi i qeverisë së re


Kuvendi mbrëmë vonë i verifikoi mandatet e deputetëve të cilët vijnë në vendin e ministrave të ardhshëm në qeveri. Seanca zgjati një kohë të gjatë me pauza disa orëshe pasi idnividualisht u konstatuan dorëheqjet e ministrave të ardhshëm dhe  pas marrjes së raportit nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, u verifikuan mandatet e deputetëve të ardhshëm.

VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe deputetët e “Të majtës” e braktisën seancën kuvenmdore me justifikimin se veprohet jashtë rregullores. Ata theksuan se Komisioni verifikues nuk ka mandat të vendosë sepse ka ndërprerë së funksionuari pas mbledhjes konstituive. Sipas VMRO-DPMNE-së verifikimi kryhet në bazë të raportit të KSHZ-së dhe në kërkesë të komisionit për çështje të rregullores dhe mandatit, e jo në propozim të Komisionit verifikues.

“LSDM verifikon mandatet në kundërshtim me Rregulloren e punës së Kuvendit dhe nenin 17 të saj, në të cilën thuhet qartë se deputetët që do të bëhen deputetë nga lista e kandidatëve për pjesën tjetër të mandatit që Kuvendi e kryen në seancën tjetër, bazuar në raportin e KSHZ-së, dhe me propozim Komisionit për çështje mandatit dhe imunitetit e jo me me propozim të komisionit të verifikimit, siç bën sot”, theksoi VMRO-DPMNE-ja në kumtesë.

“Sjellja e sotme e opozitës mund të shkaktojë situatë në të cilën nuk do të mund të verifikohen mandatet e deputetëve të cilët vijnë në vendet e atyre të cilët në të ardhmen do të jenë ministra. Kjo në të ardhmen do të thoshte se do të kemi qeveri të re legjitime, por nuk do të kemi kuvend funksional. Kjo do të thoshte krizë e re. Mu kjo është edhe shkaku përse i ndërmarrim këta hapa. Si koalicion përgjegjës dhe deputetë përgjegjës jemi të obliguar të mos lejojmë dhe të parandalojmë krizë të re në periudhën e ardhshme”, theksoi Mitreski.

Mbrëmë vonë seancën e braktisën edhe deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativa me justifikimin se 12 orë janë në Kuvend dhe me kërkesë seanca të vazhdojë sot në çka reagoi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi me sqarimin se dhoma lidhvënëse do të punojë derisa ka shumicë përkatëse.

Mbetet e hapur çështja për numrin e nënkryetarëve të Kuvendit, Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi propozon të ketë pesë nënkryetarë, por sipas opozitës mjaftojnë tre nënkryetarë në Kuvend.

Paralajmërimet nga mandatari Zoran Zaev janë se propozimi për qeverinë e re do të parashtrohet menjëherë pasi do të verifikohet mandati i deputetëve të rinj dhe të konfirmohet numri i nënkryetarëve të Kuvendit.

“Kur të përfundojë kjo procedurë do të dorëzojë propozimin për qeveri. Sot deri vonë do të zgjas procedura për verifikimin e mandateve, pasi janë të paktën 9 vendime. Me siguri nesër nga mëngjesi do të dorëzohet propozimi për qeverinë. Pastaj vijojnë disa ditë që deputetët të njihen me programin qeveritar dhe biografinë e kandidatëve për ministra”, ka thënë Zaev.

Qeveria e re që do ta kryesojë lideri i LSDM-së Zoran Zaev do të ketë 19 ministra, në vend 26 deri më tani.

LSDM-ja do të ketë 11 ministra, nga të cilët tetë me dikaster dhe tre zëvendëskryeministra të cilët do të propozohen si ministra pa dikaster me kompetenca të caktuara.

Përveç Zaevit si kryeministër, anëtarë të Qeverisë do të jenë edhe Lupço Nikollovski si zëvendëskryeministër për luftë kundër korrupsionit, Fatmir Bytyqi – zëvendëskryeministër për ekonomi, Nikolla Dimitrov – zëvendëskryeministër për çështje evropiane, Oliver Spasovski – ministër i Punëve të Brendshme, Radmilla Shekerinska – ministre e Mbrohtjes, Bojan Mariçiq – ministër i Drejtësisë, Bllagoj Boçvarski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Venko Filipçe – ministër i Shëndetësisë, Mila Carovska – ministre e Arsimit dhe Shkencës, Johada Shahpaska – ministre e Punës dhe Politikës Sociale dhe Irena Stefoska – ministre e Kulturës.

Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do ta udhëheq Arijanit Hoxha nga Besa, ndërsa Goran Milevski nga PLD do të jetë ministër i Vetëqeverisjes lokale edhe në Qeverinë e re.

BDI në Qeveri do të ketë gjashtë anëtarë, Artan Grubi do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Sistemit politik, Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi – ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi mbetet ministër i Ekonomisë, ndërsa Naser Nuredini ministër i Mjedisit Jetësor. Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës do të jetë Jeton Shaqiri.

LEXO EDHE:

Back to top button