Verushevski pas 18 viteve merr në pronësi apartamentin shtetëror
Verushevski pas 18 viteve merr në pronësi apartamentin shtetëror

Gazetar: Adrian Kerimi
Këshilltari për siguri kombëtare i kryeministrit, Dimitar Kovaçevski dhe ish kreu i spiunazhit Zoran Verushevski ka rikthyer në pronësi apartamentin shtetëror të cilin e kishte shfrytëzuar gjatë viteve 1995-2002 për shkak të detyrës zyrtare. Verushevski i cili në nëntor të vitit 2002 kishte autorizuar avokatët e tij që mbi bazën e përgjegjësisë morale dhe qëllimit të mirë të heq dorë nga apartamenti prej 47 metra katror në rrugën Ruzveltova dhe i njëjti t’i rikthehet shtetit, 18 vite më vonë përmes padisë ndaj shtetit ka arritur ta kthen pronësinë ndaj apartamentit në fjalë.
Alsat ka arritur të siguron aktvendimin e shkallës së parë në Gjykatën Civile i cili daton nga 1 nëntori 2021. Vendimi i gjykatës është bazuar në tërheqjen e deklaratës që Verushevski ka bërë pas 18 viteve dhe gjykata duke e marr për bazë këtë veprim, i merr shtetit pronën dhe e kalon atë në pronësi të personit fizik. Arsyetimin e tërheqjes së deklaratës Verushevski e bazon në faktin se sipas tij, avokatët nuk kanë qenë të autorizuar për të vepruar në këtë rast dhe mos nënshkrimi i aktit nga ana e tij jep bazë për rikthimin e apartamentit në pronësi. Arsye shtesë sipas tij ka qenë fakti se ai ka investuar në apartamentin e dhënë nga shteti për shkak të detyrës zyrtare, ndërsa përfaqësuesit ligjor nuk kanë pasur autorizim për çështjet që ndërlidhen drejtpërdrejt me pronësinë e tij dhe aspektin financiar, por vetëm autorizim të përgjithshëm juridik për përfaqësim.
Çështja nuk mbaron me kaq. Nga apartamenti prej 47 metrave katror Vershuevski kishte hequr dorë për shkak se kishte siguruar një apartament tjetër prej 100 metrave katror gjithashtu përmes detyrës zyrtare. Deri në ditën që ka paditur shtetin i njëjti ka shfrytëzuar apartamentin në fjalë. Me çfarë të drejtë dhe mbi cilën bazë ligjore e ka bërë një gjë të tillë nuk dihet, aq më tepër kur Verushevski nuk është pjesë e strukturave të MPB-së prej vitesh, ndërsa në Qeveri rezulton këshilltar i jashtëm për siguri kombëtare me kontribut mujorë prej 74 mijë denarësh.
Vendimi i Gjykatës Civile ishte vlerësuar i dëmshëm për shtetin nga ana e Avokatit të Shtetit i cili sipas informacioneve të Alsat, më 6 qershor të vitit 2022 ka njoftuar kryeministrin Dimitar Kovaçevski për vendimin e gjykatës dhe dyshimet për presion të pushtetit ekzekutiv ndaj pushtetit gjyqësor që mund të ketë bërë këshilltari i tij. Qeveria në vend që të ndërmerr hapa, dy muaj më vonë ndryshon strukturën e avokaturës shtetërore. Çështja për momentin ndodhet në fazën e ankesave dhe seanca e ardhshme pritet të mbahet në muajin tetor. Jo zyrtarisht për këtë rast lëndë është hapur edhe në Komisionin për parandalimin e korrupsionit.
Pa cenuar aspak të drejtën e gjykatës dhe të palëve në proces, mbetet e paqartë se si një pronë shtetërore ka përfunduar në pronësi të tij kur nga ana tjetër ka figuruar si pronë shtetërore? Si ka arritur Verushevski të siguron apartament tjetër derisa ka pasur në shfrytëzim apartamentin e parë? Mbi çfarë baze ligjore gjykata me vendim i kthen mjetet materiale nga marrëveshja në emër të personit fizik dhe mbi gjitha, si mundet që prona shtetërore të kalon në pronë private vetëm përmes tërheqjes së një deklarimi të dhënë 18 vite më parë? /Alsat.mk