​Veteranët të vendosur: Takimi me Kurtin të mbahet sot

​Veteranët të vendosur: Takimi me Kurtin të mbahet sot

Veteranët po këmbëngulin që takimi me kryeministrin të ndodhë sot. Qindra protestues, të cilët që nga mëngjesi po qëndrojnë në oborrin e kuvendit, nën brohoritjet “sot”, po kërkojnë që gjatë ditës së enjtes të takohen me kryeministrin, Albin Kurti, ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe deputetin Armend Muja.

Pas shtyrjes së sërishme të seancës për një orë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, është shprehur se do të vazhdojnë të qëndrojnë e nuk do të lodhen.

“Glauk Konjufca, si kryetar i kuvendit e ka shtyrë seancën për 1 orë, ai mendon që ne na lodhë, ne kemi qëndruar edhe në male edhe në borë e në shi, ka pasur raste që nuk kemi hangër bukë dy ditë por ne nuk lodhemi dhe sa të jeni ju këtu ne do të vazhdojmë të qëndrojmë”, u është drejtuar protestuesve, drejtuesi i OVL- UCK, Faton Klinaku.

Veteranët kërkojnë që të takohen me kryeministrin Albin Kurti sot, lidhur me kërkesat e tyre për përfshirjen në ligjin që e përcakton pagën minimale.

Një gjë të tillë e tha edhe kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari.

“Kërkesa e kategorive më të ndjeshme ishte që të takohemi sot dhe do të ishte mirë sot dhe bashkërisht me përfaqësuesin e veteranëve dhe të shoqatës së invalidëve do të marrim qëndrim dhe do ta bëjmë publike para jush”, ka thënë Jashari.

Jashari ka shtuar se do ta pranojnë këtë takim dhe do të flasin për kërkesat e veteranëve.

LEXO EDHE:

Back to top button