Vetëvrasje në spitalin “8 Shtatori”, pacienti infektuar me Kovid hidhet nga dritarja

Gjurmë gjaku të mbetura në tokë po pastrohen nga stafi sanitar i Spitalit “8 Shtatori”. Këto janë shenjat e vetme të pacientit me Kovid, i cili në ora 7.30 të mëngjesit humbi jetën në mënyrë tragjike.

“70 vjeçari i shtrirë në repartin infektiv të Kovid Qendër këtu në Spitalin 8 Shtatori i dha fund jetës së tij tri ditë pasi u shtrua spital si pasojë e komplikimeve nga virusi korona, duke u hedhur nga dritarja e katit të parë të këtij spitali”.

Nga drejtoria e spitalit thonë se mjekët bënë gjithçka për t’i shpëtuar jetën. Ekipi kujdestar ka njoftuar policinë dhe prokurori kompetent ka bërë ekspertizë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e mjekësisë ligjore.

Në gjendje të rënduar, e nën kontroll psikologjik dhe përkundër të gjitha masave të marra, pacienti A.C. i lindur më 1950 ka kërcyer nga dritarja. Edhe pas procedurave të reanimacionit nga mjekët kujdestar vetëm se u konstatua vdekja e tij – njoftojnë nga Spitali “8 Shtatori”.

Psikologët kanë një shpjegim për këtë fenomen. Gentiana Mehmeti tha se nga gjendje e rënduar psikike, pacientët në rrethana paniku nga vështirësitë në frymëmarrje kërkojnë mundësinë e parë për të dalë nga ambiente të mbyllura. Psikologët thonë se pacientët në mënyrë të pavetëdijshme për të shpëtuar jetën kërcejnë nga dritarja, duke shkuar drejtë vdekjes.

Si të themi një situatë e tillë, me një traumë të tillë mjaft serioze. Kjo ka shkaktuar një gjendje mendore mjaft të rënduar tek njerëzit me pasoja shumë dimensionale psikologjike, jo vetëm fizike por edhe mendore, të tilla si stresi, frika dhe ankthi- deklaroi Gentiana Mehmeti, Psikologe.

Nga Ministria e Shëndetësisë njoftuan se kanë ngritur një inspektim të posaçëm përmes Inspektoratit shtetëror sanitar shëndetësor, organ i cili do të shqyrtojë rastin me vëmendje të shtuar për të gjetur shkaqet e vdekjes tragjike të pacientit.

Adnan Qaili

 

LEXO EDHE:

Back to top button