Zgjedhjet në Kosovë, Kurti: Do t’ia kërkoj borxhin Serbisë

Në Kosovë vazhdon fushata për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se me ardhjen e tij në krye të ekzekutivit vendi do të del nga kriza e shumëfishtë dhe do t’ia kërkojë borxhin Serbisë.

Ne jemi të vendosur që ta nxjerrim Kosovën edhe nga korrupsioni i pushteteve të pasluftës por edhe nga pazaret me Serbinë, e cila i ka shumë borxh popullit të Kosovës edhe gjatë okupimit, edhe gjatë luftës. Serbia ka kryer krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, andaj ne do të përfaqësojmë me dinjitet Kosovën dhe në çdo takim ndërkombëtar apo të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët do t’ia kërkojmë borxhin Serbisë – deklaroi Albin Kurti, Vetëvendosje.

LDK premton rritje të pensioneve dhe mbështetje për rininë, ndërsa PDK rritje të pagave. Dy partitë me kritika ndaj Vetëvendosjes.

Një shtet e bëmë me SHBA-të dhe me partnerët tanë evropian, të zotuar për demokracinë perëndimore. Ndërkaq, VV duhet ta qartësojë se kush janë partnerët e saj për Republikën e Tretë. Ndryshe, në qoftë se votohet vetëm me emocione, rrezikojmë të vejmë shallat e kuqe rreth qafe, të marrëshojmë si në Revolucionin Kulturor Kinez e të mbesim pa asnjë republikë! – theksoi Isa Mustafa, Kreu i LDK-së.

Në këto zgjedhje ka dy modele. Njëra është rimëkëmbje, aleancë politike me qytetarin dhe një model tjetër i cili është modeli i Vetëvendosjes, i cili është një model autoritar, i shamive të kuqe që janë simbole të sistemit totalitar – tha Enver Hoxhaj, PDK.

Për 120 ulëset e Kuvendit garojnë 28 subjekte politike. Do të zgjedhet edhe Presidenti i ri.

 

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button