Vetura e Papa Françeskut tani në shërbim të fëmijëve palestinezë
Vetura e Papa Françeskut tani në shërbim të fëmijëve palestinezë

Papa Françesku ka dhuruar automjetin e tij të famshëm Popemobile për fëmijët në Rripin e Gazës.
Automjeti do të shndërrohet në një automjet mjekësor që do t’i ofrojë fëmijëve kujdesin shëndetësor bazë, në mes të një fatkeqësie humanitare.
Bëhet e ditur se gjatë 12 viteve të tij në krye të Kishës Katolike, Papa Françesku ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e paqes dhe dhembshurisë, veçanërisht për fëmijët e prekur nga luftërat në mbarë botën, nga Ukraina në Kaukaz, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Ai u prek veçanërisht nga fati i dhjetëra mijëra fëmijëve që kanë humbur jetën në konflikte si ai në Gaza.
Tani Popemobile do të pajiset me pajisje mjekësore për diagnostikim, testim dhe trajtim, duke përfshirë teste të shpejta të infeksionit, pajisje diagnostikuese, vaksina, mjete për trajtimin e plagëve dhe furnizime të tjera urgjente.
Automjeti do të drejtohet nga mjekë dhe punonjës mjekësorë të cilët do të shkojnë në pjesët më të izoluara të rajonit sapo të lejohet aksesi humanitar në Gaza.
“Falë këtij automjeti, ne do të jemi në gjendje të arrijmë fëmijët që sot nuk kanë akses në kujdesin shëndetësor – fëmijë që janë të plagosur dhe të kequshqyer. Kjo është një ndërhyrje konkrete, shpëtimtare në një kohë kur sistemi i kujdesit shëndetësor në Gaza është shembur pothuajse plotësisht”, tha Peter Brune, sekretari i përgjithshëm i Caritas Suedez.