Vijojnë hetimet për drogën në Krushevë, edhe 30 ditë paraburgim për të dyshuarit

Gjykata i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për 30 ditë tre dyshuarve për tregtimin ilegal të lëndës narkotike marijuhanë e cila në muajin dhjetor dyshohet të jetë vjedhur nga fabrika për përpunimin e kanabisit “5 letters” nga Krusheva. Organi i akuzës njofton se rasti po hetohet nga Prokuroria për krimin e organizuar, por nuk jep detaje nëse ka pista të reja hetimi dhe a mund të pritet zgjerimi i akuzës.

Lënda akoma ndodhet në procedurë hetimore dhe me të procedon prokurori përkatës i Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ndërmerren të gjitha masat e parapara me ligj me qëllim zbardhjen e rastit – thonë nga Prokuroria Publike.

Alsat në rrethana anonimati mëson se Prokuroria akoma nuk ka arritur t’i vërtetojë motivet e veprës penale dhe rolin e të dyshuarit T.S 22 vjeç nga Shkupi i cili njëkohësisht ishte i punësuar në kompaninë farmaceutike të Krushevës. Nuk bëhet i ditur as qëllimi i dy shtetasve, një 35 vjeçar nga Shqipëria me inicialet V.K dhe një 22 vjeçar nga Kosova me iniciale R.K. Organi akuzës është duke punuar në drejtim të vërtetimit të lidhjes mes tre shtetasve të huaj dhe kontaktin e të punësuarit në kompaninë “5 letters” me shtetasit nga Kosova dhe Shqipëria. Sasia e konfiskuar u kap në një banesë ku po momentalisht po qëndronin dy shtetasit nga Kosova dhe Shqipëria, ndërsa gjatë operacionit të policisë, i dyshuari T.S nga Shkupi, i afërm i zëvendësministrit të Brendshëm, Nazim Bushi kishte tentuar t’i arratisej policisë por ishte kapur në flagrancë. Njeriu i dytë i policisë, Bushi një ditë pas aksionit policor kishte deklaruar se përgjegjësia e të dyshuarit është individuale duke garantuar se pozitën e tij nuk do ta vë në ndikim të hetimit. Për shkak se gjatë aktit ishte konfiskuar edhe vaj hashashi dhe marijuhane, në hetimin e policisë ishin kyçur edhe ekspertë nga Ministria e Shëndetësisë.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button