Vijojnë reagimet për shpalljen non grata të Valon Belës dhe Bekir Halimit
Gazetare: Ajnur Bafqari
Vendimi i Republikës së Shqipërisë për shpalljen “non grata” të Valon Belës dhe Bekir Halimit vazhdon të nxisë reagime në opinion. Ministri i Brendshëm shqiptar, Besfort Lamallari ka sqaruar se vendimin e ka marrë më 17 korrik, pas informacioneve dhe konsultimeve me agjencitë e sigurisë. Ai shprehet i prerë se ky vendim ka të bëjë me mbrojtjen e interesit kombëtar, duke nënvizuar se vendi nuk do të lejojë asnjë agjendë apo nxitje dhune kundër Shqipërisë.
“Kjo është bërë pasi është administruar gjithë informacioni i ardhur nga shërbimet e sigurisë, përfshirë edhe atë të inteligjencës, jo vetëm nga policia e shtetit, por në peshimin e gjithë fakteve të ardhura nga mbikëqyrja e aktivitetit të dy personave, është krijuar bindja te unë, me cilësinë që ma jep ligji për të shpallur persona të padëshiruar të gjithë ata që po bëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe rendin publik në Shqipëri”, tha Besfort Lamallari.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar, një nga dy të shpallurit “non grata” Valon Bela. Ai e cilëson këtë një akt paradoksal të një qeverie që, siç tha, po i afrohet fundit të saj. Ai ka ngritur pyetje mbi praninë e njësive antiterror gjatë marrjes së vendimeve zyrtare dhe ka kritikuar orientimin politik të institucioneve shtetërore.
“Vendimin kur e ka marrë paska qenë prezent edhe njësia antiterror, paramendoni, antiterror i kujt, çfarë porosi merr ai antitërror, nga Vuçiq, sepse njësia elitë që lufton terrorizmin ndërkombëtar është njësia speciale amerikane, për të cilën unë kam 22 mirënjohje. Nuk mund të gjeni një shqiptar të dytë që ka 22 mirënjohje nga ushtria e NATO-s, për cilën njësi antiterrorist flet ministri dhe Ramoviçi”, deklaroi Valon Bela, Person i shpallur “Non Grata.
Nuk ka munguar as reagimi i Bekir Halimit, personit tjetër të shpallur “non grata” nga shteti shqiptar. Halimi e cilëson këtë vendim të padrejtë.
“Është mërzi për secilin t’i bëhet padrejtësi. Sidomos atyre personave që gjithë jetën ja kanë kushtuar ngritjes së vetëdijes fetare te populli jonë dhe kontributit patriotik për zhvillimin tonë kombëtarë. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi, të luftojmë padrejtësitë kudo që bëhen”, tha Bekir Halimi, Person i shpallur “Non Grata”.
Mediat shqiptare kanë raportuar se vendimit për shpalljen non grata të këtyre dy personave nga Maqedonia e Veriut, i kanë paraprirë dyshimet për lidhje me iranianët dhe propagandën palestineze. Ndërkohë reagimet kanë vërshuar edhe rrjetet sociale, konkretisht faqeve të internetit që janë në mbështetje të imamit dhe aktivistit politik./Alsat.mk.








