Vijojnë sulmet ruse në Ukrainë, Zaporizhia në shënjestër të bombardimeve gjatë natës

Vijojnë sulmet ruse në Ukrainë, Zaporizhia në shënjestër të bombardimeve gjatë natës

Vijojnë sulmet ruse ndaj Kievit dhe qytetet e tjera të Ukrainës. Qyteti i Zaporizhias në jug të vendit, u bë shënjestër e bombardimeve të reja gjatë natës, ndërsa më shumë se 10 raketa goditën infrastrukturë civile. Autoritetet raportojnë për viktima e të plagosur, ndërsa thuhet se mes godinave të sulmuara është një shkollë. Moska lëshoi mbi 100 raketa rreth Ukrainës një ditë më parë ndërsa Putin tha se sulmet ishin kundërpërgjigje ndaj sulmit në urën e Krimesë. Bilanci i përditësuar i bombardimeve flet për të paktën 19 viktima dhe mbi 100 të plagosur. Një sërë qytetesh janë pa energji dhe ujë të pijshëm. Presidenti i Ukrainës Vollodimir Zelenski foli për dëmet e shkaktuara dhe u zotua se do të rindërtojnë gjithçka.

“Jam pranë universitetit të Shevcenkos, i cili së shpejti do të festojë 190-vjetorin e krijimit. Sulmet ruse e dëmtuan, por ne do ta riparojmë. U godit gjithashtu shtëpia e mësuesve të qytetit, ku dikur ka punuar këshilli qendror i Ukrainës. Pas meje është parku Shevcenko, i shënjestruar po ashtu nga raketat. Janë dëmtuar edhe një sërë muzesh…e infrastrukture tjetër kulturore e civile. Kush lufton kështu? Duan ta kthejnë Ukrainën në shekullin e 18-të”, deklaroi Vollodimir Zelenski, President i Ukrainës.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mbajti një takim urgjent disa orë pas sulmeve ruse. Ambasadori i Ukrainës në OKB tha se Rusia është “shtet terrorist”. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se sulmet ishin “përshkallëzim i papranueshëm i luftës” nga Rusia. Bashkimi Evropian tha se është kryer krim lufte, ndërkaq presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Moska po ushtron terror dhe brutalitet. Presidenti i SHBA-së Biden ndërkaq në një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas u zotua se do të vazhdojë t’i ofrojë Ukrainës mbështetjen që i duhet për ta mbrojtur veten, përfshirë edhe sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button