Vijon gjyqi ndaj Ramiz Merkos, aktgjykimi për makinat pritet në qershor

Vijon gjyqi ndaj Ramiz Merkos, aktgjykimi për makinat pritet në qershor

Deri në fund të qershorit do të ketë aktgjykim për rastin në të cilin akuzohet kryetari i Strugës, Ramiz Merko, për blerjen e kontestuar të automjetit luksoz Audi A6 me vlerë prej 67 mijë euro dhe tre vetura të tjera me vlerë totale prej 114 mijë euro në kohën kur Komuna e Strugës kishte llogari bankare të bllokuara, njoftoi sot gjykatësi Jordan Jovanov. Gjykimi vazhdoi sot në Gjykatën Themelore në Strugë, me dëshmitë e dëshmitarëve, ndër të cilët edhe Erhana Bauta, mbesa e Ramiz Merkos, e punësuar në Komunën e Strugës dhe e cila në kohën e blerjes së automjeteve ka qenë nënkryetare e Komisionit të Prokurimit Publik në komunë. Ajo tha se duke qenë se komuna ka mbetur pa vetura, është bërë prokurimi publik i veturave të reja, për të cilin është marrë vendim edhe nga Këshilli i Komunës së Strugës dhe se e gjithë procedura ka qenë transparente dhe konform ligjit. Gjykatësi Jovanov tha se provat e paraqitura deri më tani janë të mjaftueshme dhe se propozimet e mbetura do të refuzohen. Ndaj Merkos janë aktualisht 9 lëndë gjyqësore aktive dhe i është marrë dokumenti i udhëtimit si masë kujdesi për shkak të rrezikut të arratisjes.

“Në seancën e sotme i shteruam provat verbale që Gjykata i pranoi. U prezantuan edhe provat materiale dhe tani mbetet të shikohet i gjithë dokumentacioni dhe t’i jepet mundësia mbrojtjes dhe prokurorisë që të përgatisin fjalën përfundimtare dhe ta përmbyllin në seancën e ardhshme. Kjo do të thotë në qershor dhe ramë dakord që atëherë i pandehuri të paraqesë mbrojtjen e tij dhe nëse u duhet afat i shkurtër për fjalën përfundimtare, ndoshta një javë, do të shpresoja, por do të ketë përmbyllje gjatë muajit qershor”, deklaroi Jordan Jovanov, gjykatës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button