Vijon hetimi për grupin e dyshuar për terrorizëm, hetohet financimi i strukturës

Aksioni anti-terror i gushtit dhe dhjetorit në Kumanovë dhe Shkup të vitit që lamë pas akoma nuk është shtruar në akuzë. Prokuroria Publike thotë se hetimi vazhdon, ndërsa për masën e paraburgimit mban llogari mujore duke propozuar vazhdimin e saj në përputhje me Ligjin e Procedurës Penale. Alsat mëson se hetimi është përqendruar në pistat se si u financua grupi i dyshuar për terrorizëm. Megjithëse asnjë indikacion nuk ka dalë nga dëshmia e organizatorit të grupit terrorist Bujar Aliji nga Kumanova, policia ka siguruar komunikime në “Whatsapp” që mund të jenë prova të dobishme gjatë procedurës penale.

Në grupin e parë të personave që dyshohen për terrorizëm janë edhe Valon Aqifi dhe Erduan Latifi. Për këtë të fundit, karta penale dëshmon se është kapur në Turqi gjatë rrugëtimit për në vendet e Lindjes së Afërt, vepër për të cilën ka vuajtur dënim me burg.

Grupi hetimorë kishte ndarë pjesëmarrësit në qeli territoriale. “Qelia e Shkupit” e cila përbëhet nga Besir Fejzullahi, ish pjesëmarrës në luftërat e ISIS, Bunjamin Gashi dhe Jeton Krasniqi. Ndërkaq në “Qelinë e Kumanovës” janë kategorizuar emrat si: Alajdin Saiti, Rilind Ajdini, Sunaj Imeri, Ilir Munishi dhe Donat Asani. Për dy të fundit dyshohet se pjesëmarrja e tyre në organizatën terroriste ka pasur për qëllim sigurimin e armëve.

Ndonëse organizatori i grupit Bujar Aliji bashkë me Valon Aqiin dhe Erduan Latifin ishin kapur në fund të muajit gusht kur edhe ishte konfiskuar sasi e mjaftueshme e armëve, mjeteve shpërthyese dhe mekanizmave vetë shpërthyes aksionit të fund vitit, përkatësisht të 28 dhjetorit i parapriu alarmi i ngritur në mesin e muajit nëntor. Jo zyrtarisht në tregun e qytetit të Kumanovës ishte alarmuar për bombë, ndërsa në një çantë të dyshimtë ishte gjetur edhe një dorëshkrim i cili sipas burimeve anonime tregonte lokacionet ku do të zbatohej sulmi terrorist. Ky paralajmërim kishte ardhur në prag të sulmit terroristë në Vjenë të Austrisë ku u përfshinë disa shqiptarë dhe shumica e tyre nga Maqedonia e Veriut, përkatësisht rajoni i Tetovës dhe Kumanovës. Megjithëse në qytet ishte ngritur alarmi dhe kishte filluar zbatimi i planit operativ, policia dhe prokuroria për shkak të sekretit hetimor nuk ndajnë hollësi mbi vërtetësinë e alarmit për sulm terrorist.

Në rast se akuza nuk shtrohet 9 muaj pas arrestimit, masa e paraburgimit nuk rrezikon të ndërpritet, pasi bazuar në Ligjin e Procedurës Penale, të drejta e vazhdimit të masës së kujdesit kalon Gjykatës së Apelit.

Vepra penale terrorizëm dhe organizatë terroriste në Maqedoni të Veriut dënohet nga 10 vite deri në burg të përjetshëm, ndërsa në këtë rast në konsideratë merren edhe rrethanat rëndësuese pasi një pjesë e të dyshuarve ishin pjesëmarrës në luftërat jashtë vendit paraprakisht dhe kishin vuajtur dënime me burg.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button