Viti shkollor përfundoi për shkollarët e mesëm, filloristët do të vazhdojnë deri më 14 qershor

Viti shkollor përfundoi për shkollarët e mesëm, filloristët do të vazhdojnë deri më 14 qershor

Gazetare: Melihate Rustemi

Shkollarët e mesëm sot i than lamtumirë vitit shkollor 2022-2023, ndërkohë filloristët me mësim do të vazhdojnë deri më 14 qershor. Pavarësisht që përfunduan vitin, nxënësit e shkollave të mesme, posaçërisht atyre profesionale thuajse nuk do të pushojnë. Gjatë pushimeve verore do të jenë të angazhuar me praktikën feriale.

“Edhe në pjesën e pushimeve verore ne kemi kënaqësinë që do të merremi me praktikën feriale dhe është sukses që gjatë gjithë kohës ne do të punojmë për të ardhmen tonë. Më pëlqen dizajni, ka detaje dhe më pëlqen që kur e bën punën që e dëshiron e bën të detajizuar”.

“Jam shumë i kënaqur nga ky vit, ka qenë me mundime por me ndihmën e profesorëve e pak me vullnetin tonë kemi arrit të kalojmë. Kjo verë, ky pushim do të kaloj gjysma në punë e gjysma në praktikë, me marr njohuri më tepër për drejtimin tim”.

Përmbyllja e vitit shkollor ka shkaktuar telashe të mëdha me ditarin elektronik. Mësimdhënësit shprehen të revoltuar se po bëjnë dyfish punë dhe nuk po arrijnë në regjistrimin e notave.

“Zakonisht ditari elektronik përmban problemet e veta, posaçërisht në fund të vitit. Si sistem me të vërtet është i ngarkuar dhe është një periudhë kur të gjithë kyçen në ditarin elektronik. Ka raste, sidomos brenda ditës ndoshta edhe nuk punon fare. Kolegët tentojnë në orët e vonshme ose hershme të mëngjesit. Sidoqoftë, në fund e përmbyllim por vlen të theksohet se është një ngarkesë ngase tash janë edhe punët tjera administrative”, tha Jenuz Memeti, mësimdhënës.

Nga Ministria e Arsimit thanë se problemet me ditarin elektronik janë paraqitur për shkak të stërngarkimit dhe mos kryerjes me kohë të angazhimeve që kanë të bëjnë me plotësimin e tij. Ndërkohë, maturantët nesër do t’i nënshtrohen provimit të dytë ekstern të maturës shtetërore. Më 27 maj, 15.620 maturantë i janë nënshtruar provimit të parë të maturës shtetërore në gjuhën amtare. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button