Vjosa Osmani do të shfuqizojë vendime të ish-presidentit Thaçi

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani tha të mërkurën se do të shfuqizojë të gjitha dekretet e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilat janë në kundërshtim me praktikat diplomatike. Deklarata e Osmanit, u bë pas raportimeve në media të emërimit si Konsull i Përgjithshëm në Pragë, të Flakron Shalas, djali i deputetit Haxhi Shala. Ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani, thotë se ajo vazhdimisht ka kërkuar nga qeveria që të shqyrtojë dokumentet për shërbime diplomatike, por “ende nuk ka fituar qasje në këtë material”.

“Konsullata e Përgjithshme në Pragë dhe emërimi i Konsullit të Përgjithshëm aty, janë në kundërshtim me çdo praktikë diplomatike dhe konsullore të vendeve demokratike. Nuk mund të hapen Konsullata të Përgjithshme në të njëjtin qytet ku kemi edhe Ambasadë. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm. Është praktikë e mbrapshtë, të cilën duhet ta kthejmë mbarë. Prandaj ato dekrete do të shfuqizohen”, shkroi Osmani në një postim në rrjetin e saj social, Facebook.

Debati për votën e Haxhi Shalës

Emërimi i Flakron Shalës, në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm në Pragë, është kundërshtuar edhe nga disa organizata të shoqërisë civile në Kosovë. Deputeti Haxhi Shala, u bë subjekt i një debati publik, për faktin që vota e tij ishte vendimtare në votimin e Qeverisë aktuale të drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, ndonëse më herët ai kishte deklaruar se do të votonte kundër qeverisë Hoti. Gjatë seancës për votimin e qeverisë, vetë Haxhi Shala, deklaroi se ai e kishte ndryshuar mendimin për ta votuar qeverinë, pasi kishte takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe sipas tij, “për këta dy persona do ta votojë qeverinë Hoti”, duke lënë të kuptohet se Thaçi dhe Haradinaj, i kanë kërkuar atij që ta votojë qeverinë Hoti. Lëvizja Vetëvendosja çështjen e votës së Haxhi Shalës për qeverinë e Hoti e ka dërguar për trajtim në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se presidenti nuk guxon të ndikojë tek deputetët për votën e tyre.

LEXO EDHE:

Back to top button