VLEN, ashtu sikurse VMRO, thotë se duhet të ketë garanca nga Bashkimi Evropian për ndryshimet kushtetuese
VLEN, ashtu sikurse VMRO, thotë se duhet të ketë garanca nga Bashkimi Evropian për ndryshimet kushtetuese
Gazetare: Fatlume Dervishi
VLEN gjithmonë e më shumë përafron qëndrimet me VMRO-DPMNE-në sa i takon ndryshimeve kushtetuese. Zv.kryeministri i parë Bekim Sali, në intervistë për Alsat, thotë se kjo qeveri e përsërit që nga dita e parë se duhet të kemi një sinjal që kërkesat e huaja ndaj vendit do të mbarojnë aty. Ai aludon në atë se për VLEN-in nuk mund të mbajë më afati prej gjashtë muajsh që e kishte dhënë fillimisht për ndryshimet kushtetuese, për shkak të mungesës së qeverisë politike në Sofje.
“Është çështje bilaterale për të cilën ne jemi pajtuar që do ta bëjmë atë hap mirëpo në të njëjtën kohë shtohet edhe një kërkesë me të cilën themi “në rregull kushtet e integrimit në aspektin e ndryshimit kushtetues do t’i bëjmë, mund t’i bëjmë, mirëpo na jep një sqarim të vogël a është përfundimi i gjithë kësaj”. Në parim ka pas marrëveshje që brenda gjashtë muajsh të kemi edhe kompromis dhe marrëveshje me palën bullgare por nëse pala tjetër nuk ka një qeveri stabile që të uleni dhe të bisedoni dhe t’i bëni ndryshimet kushtetuese, atëherë si mund të keni vetëm ju kusht kohor, dhe pala tjetër nuk ekziston”, tha Bekim Sali, Zv.kryeministër i parë.
Sa i takon ligjit për përfaqësim të drejtë, Sali thotë se brenda dy javëve të ardhshme do të dorëzohet në Kuvend. Sipas tij, përfaqësimi i shqiptarëve në vitin 2025 është rritur, edhe pse nuk ka pasur balancues. Sali u referohet të dhënave nga 700 institucione, edhe pse në vend janë gjithsej 1340 persona juridikë nga të cilat Avokati i Popullit merr zakonisht të dhëna.
“Janë 700 institucione të cilat është dashur t’i hulumtojmë një nga një për shkak se nuk kemi sistem qendror. Ministria mund të dalë me raport ndoshta pas 3-4 muajsh, por, për nevojat tonë interne e kemi hulumtuar këtë punë dhe të dhënat na flasin për 22.8%”, u shpreh Sali./ Alsat.mk








