VLEN: BDI dhe Bujar Osmani të përgjigjen për lidhjet me Stajiqin

Partia VLEN ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së për ndikim serb, duke pretenduar se pikërisht BDI-ja ka pasur kontakte dhe bashkëpunime me figura të lidhura me Serbinë. Në reagimin e tyre, nga VLEN përmendin iniciativën “Ballkani i Hapur”, çështjet që lidhen me Ohrin dhe Shën Naumin, si dhe emrin e Vlladimir Stajiqit, konsull nderi i Serbisë në Maqedoninë e Veriut, për të cilin thonë se ka qenë i pranishëm në pritje zyrtare të organizuara gjatë kohës kur Bujar Osmani ushtronte funksione të larta shtetërore.

“VLEN kërkon që Osmani të sqarojë publikisht raportet e tij me Stajiqin, duke pyetur se kush e ftoi atë në aktivitetet zyrtare dhe çfarë marrëdhënie kishte me të gjatë periudhës së kryesimit të OSBE-së nga Maqedonia e Veriut. Sa më shumë që BDI përpiqet të flasë për ndikim serb, aq më shumë i dalin përpara gjurmët e veta. Ballkani i Hapur, Ohri, Shën Naumi dhe tani edhe Vlladimir Stajiq, konsulli i nderit i Serbisë në pritjet zyrtare të Bujar Osmanit.

Prandaj, zhurma nuk u kryen punë. Tani le të dalin dhe të përgjigjen për Stajiqin, për fotografitë e për allashverishet që po u dalin në shesh. Bujar Osmani duhet të përgjigjet qartë. Kush është Vlladimir Stajiq për Bujar Osmanin? Pse, në kohën kur Bujar Osmani krekosej me kryesimin e OSBE-së, Stajiqi ishte në pritje zyrtare si konsull i nderit i Serbisë në Maqedoninë e Veriut? Kush e ftoi? Çfarë raporti kishte me të? Shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën.

Sa herë që BDI pyet ku është VLEN-i, përgjigjen do ta marrë prerë. VLEN është aty ku BDI nuk ishte kurrë, kundër çdo ndikimi serb, kundër çdo projekti që dëmton Kosovën dhe kundër çdo përpjekjeje për ta larguar Maqedoninë e Veriut nga rruga euroatlantike”, shkruan në reagimin e VLEN.

LEXO EDHE:

Back to top button