VLEN: Çdoherë kur Ali Ahmeti përballet me pyetje për krim e korrupsion, Vetingun e përdor si instrument për mashtrim
VLEN: Çdoherë kur Ali Ahmeti përballet me pyetje për krim e korrupsion, Vetingun e përdor si instrument për mashtrim
Gazetar: Suad Bajrami
Koalicioni VLEN thekson se çdoherë kur BDI përballet me pyetje për krim, korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit, fshihet pas një retorike të rreme për siç thonë ata njëfarë “vettingu”. Duke numëruar disa raste të udhëheqjes së BDI-së dhe partive koalicionuese, VLEN thekson se kjo dëshmon se BDI çështjen e vetingut e ka vetëm fushatë propagandistike.
“Veting për Ali Ahmetin – kush e ka hetuar pasurinë e tij dhe kompanitë e të afërmve të tij!? Për shokun e Bujar Osmanit, Artan Grubi – kush do t’i hetojë licencat për kazinotë, lidhjet me botën e nëntokës të Ballkanit dhe marrëveshjet milionëshe!? Për Bujar Osmanin – kush do të japë përgjigje për takimet e dyshimta me përfaqësues të botës serbe, për rastin “Pacienti”, dhe për milionat e shpenzuara në Samitin e OSBE-së!? Për Arben Taravarin – kush do ta kontrollojë pasurinë e tij, tenderët për njerëz të afërt dhe lidhjet me “Gjoka Construction”!? Dhe për Blerim Bexhetin – kush do të hetojë ndërtimet në Saraj dhe lidhjet e tyre me emrin e tij!?”, thonë nga Koalicioni VLEN.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i BDI-së, e cila përsëriti qëndrimin se Vetingu është domosdoshmëri institucionale dhe shoqërore, me qëllim që siç thonë ata, të rikthehet besimi i qytetarëve në drejtësi, institucione shtetërore dhe sistemin demokratik.
“Ne besojmë thellësisht se nuk mund të ketë shtet funksional dhe shoqëri të drejtë, pa një proces gjithëpërfshirës të vetingut, me mbikëqyrje ndërkombëtare, i cili do të sjellë transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi në të gjitha nivelet e pushtetit. U bëjmë thirrje, të gjitha partive politike parlamentare që të mbështesin propozim-ligjin e BDI-së për veting me mbikëqyrje ndërkombëtare”, shprehen nga BDI.
Propozimin e BDI-së, kryeministri Hristijan Mickoski e quan temë të shpikur, ndërsa për të është më e rëndësishme të zgjidhen problemet që vetë BDI i ka lënë.
“Mendoj se me atë temë tanimë është lodhur edhe opinioni, veting të gjyqtarëve, veting të kush e diçka, veting të BDI-së, veting të vetingut e kështu me radhë. Mendoj se kemi çështje shumë më të rëndësishme të zgjidhim probleme që i ka lënë BDI se sa të merremi me disa tema të shpikura”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër. /Alsat.mk








