VLEN do të rikthejë zv.drejtorin e Shërbimit sekret

Gazetare: Fatlume Dervishi

VLEN do të rikthejë pozitën e zv/drejtorit të Agjencisë për zbulim për kuadër shqiptar, thonë nga koalicioni. Njoftimin e bëri Arben Taravari pas reagimeve të shumta për emërimin e Gabriela Jakovlevës për drejtore dhe Ivana Stojanovskës për zv/drejtore të Agjencisë së Zbulimit.
Tani thonë ata, me bashkimin e Agjencisë së Zbulimit dhe Agjencisë për Siguri Kombëtare, VLEN do të ketë postin e zv/drejtorit i cili do të jetë shqiptar.

“Koalicioni VLEN ka zëvendësdrejtor në Agjencinë për Siguri Kombëtare, institucion që sipas programit të Qeverisë pritet të fuzionohet me Agjencinë e Inteligjencës. Pas kësaj reforme, propozimi i koalicionit VLEN për zëvendësdrejtor në Agjencinë për Siguri Kombëtare do të jetë zëvendës edhe në shërbimin e integruar të inteligjencës”, thonë nga VLEN.

Nga VLEN thonë se ishte BDI-ja që me sistematizim në vitin 2013 hoqi pozitën e zv/drejtorit të Agjencisë dhe nuk e mori më kurrë, edhe pse posti u rikthye në 2021-shin. Nga VLEN thonë se BDI “sot derdhin lot krokodili, kurse në vitin 2019, Osmani dhe Grubi kërkuan të rishqyrtohet vendimi për emërimin e Erold Musliut”, drejtor i Agjencisë së Zbulimit.

“BDI përmes Bujar Osmanit dhe Artan Grubit në vitin 2019 ka kërkuar nga presidenti i atëhershëm Stevo Pendarovski që ta rishqyrtojë vendimin për emërimin e Erold Musliut për drejtor të Agjencisë për Inteligjencë. Prandaj, kjo klithmë e BDI-së nuk ka të bëjë me përfaqësimin e shqiptarëve në institucione, por sepse Grubi, Bujari, Kreshniku dhe kompania humbën privilegjet e tyre”, shtuan nga VLEN.

BDI-ja kritikon zgjedhjen e kuadrove maqedonas në pozitat e drejtorit dhe zv/drejtorit të Agjencisë së Zbulimit.
Nga ana tjetër, BDI-ja kishte kundërshtuar emërimin e Erolld Musliut në këtë institucion nga ana e ish presidentit Stevo Pendarovski, edhe pse ishte shqiptar./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button