VLEN vazhdon të mos jetë i kënaqur me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe shqyrton ligj të posaçëm për Shqipen
VLEN nuk e përjashton mundësinë e hartimit të një ligji të ri i cili do ta zyrtarizonte plotësisht gjuhën shqipe. Kreu i Kuvendit Afrim Gashi në intervistë për Alsat theksoi se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve edhe pse ka avancuar përdorimin e shqipes nuk e ka barazon me maqedonishten.
“Shqipja dhe Maqedonishtja nuk janë në nivelin e barabartë dhe zyrtare të plota. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e ka avancuar përdorimin e gjuhës shqipe në masë të dukshme por, nuk e absolvon në tërësi dhe kjo është fakt. Mendoj se edhe kur është sjell ka qenë në përputhje me kushtetutën dhe nuk duhet të politizohet fare dhe të mos preket ligji fare. Kur të kemi gatishmëri në të ardhmen për ta përmirësuar mendoj se duhet të krijohen kushte politike në vend që ta kuptojnë të gjithë se përdorimi i gjuhës shqipe nuk e dëmton interesin shtetëror”, deklaroi Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.
D.m.th nuk ka plan për një ligj të ri?
“Ka plan, gjithmonë diskutohet dhe punojmë për këtë, unë angazhohem gjithmonë që të sensibilizoj situatën, por kur do të krijohen kushte të tilla u takon liderëve që ta diskutojnë… VLEN-i është bërë një parti, ka dy bashkëkryetarë dhe mendoj se këto tema duhet të zhvillohet në këtë nivel politik”, theksoi Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.
Bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti gjithashtu thotë se duhet të miratohet një ligj i ri më i mirë por se për këtë duhet të pritet momenti i duhur politik.
“Jemi në bisedime por nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete, ajo që mund të them është që në ligjin e gjuhëve nuk është prekur asnjë presje përveçse është avancuar në katër fusha dhe për herë të parë provimet janë në gjuhen shqipe. Në një momentum politik, në rrethana tjera besoj që gjuha shqipe meriton status më të mirë”, deklaroi Izet Mexhiti – VLEN.
Eksponentë të VLEN-it disa herë kanë përsëritur se gjuha shqipe nuk është zyrtare dhe se në Maqedoni nuk ka një ligj për gjuhën shqipe, por vetëm për përdorimin e gjuhëve./Alsat.mk.









