VLEN/ Vendimet e ‘Besës’, i përshëndet Mexhiti – Në tavolinë ende qëndrojnë idetë për bashkëkryetarë ose lider me rotacion
VLEN/ Vendimet e ‘Besës’, i përshëndet Mexhiti - Në tavolinë ende qëndrojnë idetë për bashkëkryetarë ose lider me rotacion
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Veprimin e Lëvizjes Besa për shkarkimin e kryesisë, do ta ndjekin edhe partitë e tjera në VLEN. Kreu i LD-së Izet Mexhiti, thotë se ky veprim shënon fillimin e shkrirjes së VLEN-it në parti dhe se kjo ka qenë dhe është kërkesë e elektoratit, me qëllim organizimin më të mirë politik shqiptar.
“Pra VLENI një është synim i përbashkët dhe në këtë drejtim hapin që e mori BESA dhe z.Bilall Kasami unë e përshëndes dhe besoj se shpejt do e përcjellin edhe subjektet tjera brenda VLEN-it sepse është në interes të gjitha subjekteve dhe në interes të organizimit politik të shqiptarëve”, tha Izet Mexhiti – Kryetar i LD / VLEN.
Për negociata për shkrirjen e VLEN-it, nga Besa është autorizuar Bilall Kasami.
“Kuvendi Qendror i Lëvizjes Besa me shumicë votash miratoi vendimin për shkarkimin e kryesisë qendrore të Lëvizjes Besa në vazhdën e procesit të filluar për bashkimin e VLEN-it në një subjekt të vetëm”, u shpreh Bilall Kasami – Kryetar i L.Besa / VLEN.
Ndërkohë brenda VLEN-it ende vijojnë diskutimet se cili do të jetë modeli i lidershipit. Në tavolinë janë ofertat me dy kryetarë dhe kryetar me rotacion.
“Ideja e bashkëkryetarëve është një prej ideve kreative të cilat ndoshta nuk janë karakteristike mirëpo i njeh bota demokratike, është vlerë evropiane. E kemi në R. e Kosovës, është Lëvizja Guxo. Mirëpo ka edhe modele të tjera po debatohet me pro dhe kontra argumentime”, theksoi Izet Mexhiti – VLEN.
Ndonëse nuk është e formuar si subjekt politik, Aleanca për Shqiptarët në VLEN e cila udhëhiqet nga Arben Fetai, këmbëngulë se përgjegjësitë brenda koalicionit duhet të ndahen me proporcion 25% ashtu siç është funksionuar edhe gjatë ndarjes së funksioneve. /Alsat.mk








