VMRO akuzon për keqpërdorime me tenderin në Butel, LSDM-ja nuk komenton akuzat

VMRO akuzon për keqpërdorime me tenderin në Butel, LSDM-ja nuk komenton akuzat

Gazetare: Fatlume Dervishi

VMRO-DPMNE-ja publikoi informacionin e parë të paralajmëruar me akuza për keqpërdorime të procedurës së tenderit në Komunën e Butelit në vitin 2021, gjatë udhëheqjes së Velimir Smilevskit, shkruan Alsat.

Sipas partisë opozitare, në tenderin për ndriçim rrugor të fituar nga firma “Proviz DOEL” nga Vizbegu me vlerë prej 12 milion denarësh ose 190 mijë eurosh komuna ka mundësuar pasurimin e firmave private.

Në tender, produktet të cilat janë shfrytëzuar në sasi më të madhe kanë pasur çmime shumë të shtrenjta, kurse produktet që janë shfrytëzuar në sasi shumë të vogël ose nuk janë shfrytëzuar fare, janë pasur çmim shumë të ulët.

Komuna, sipas Lefkovit, ka zgjedhur produktet me çmime të larta, në krahasim me produktet me çmime më të ulëta.

“Në kushte të dallimeve të këtilla në çmim për produkte që kanë specifika të ngjashme, ekziston dyshimi i bazuar se më të shtrenjtët janë preferuar gjithmonë për furnizim dhe në këtë mënyrë, përveç që është keqpërdorur tenderi janë shpenzuara shuma të mëdha parash të popullit me qëllim pasurimin e firmave private. Me fjalë të tjera, produkti që sigurohet në sasi të madhe kushton sa ari i pastër kurse pas tij janë 9 produkte të tjera që kushtojnë mezi 2 denarë. Ata 9 produkte kanë për qëllim ta shmangin konkurrencën”, tha Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

VMRO-DPMNE-ja u bën thirrje institucioneve kompetente që të hetojnë tenderin, përkatësisht Prokurorisë Publike të veprojë në përputhje me kompetencat e saj dhe Policisë Financiare të kontrollojë se ku kanë përfunduar paratë nga llogaritë e kësaj kompanie private.

Për akuzat e opozitares, deri tani, nuk ka pasur reagim nga LSDM-ja.

Kjo ishte akuza e parë e opozitës, një ditë pasi njoftoi se do të fillojë me publikimin e tenderëve të dyshimtë të ish kryetarëve të komunave nga radhët e LSDM-së dhe BDI-së./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button