VMRO DPMNE-ja e cilësoi si sjellje bipolare politike qëndrimin e Presidentit Pendarovski

VMRO DPMNE-ja e cilësoi si sjellje bipolare politike qëndrimin e Presidentit Pendarovski

Gazetare: Ajnur Bafqari

Deklaratën e numrit “një” të shtetit lidhur me çështjen e referendumit, opozitarja VMRO-DPMNE e cilëson si një ndryshim drastik të qëndrimeve dhe sjellje bipolare politike, shkruan Alsat.

Nga partia e Mickoskit theksojnë se Pendarovski me këtë po tregon se nuk ka kapacitet politik për qëndrime personale politike duke akuzuar atë se është pre e presionit të Kovaçevskit dhe Zoran Zaevit dhe udhëhiqet nga interesat e ngushta partiake.

“Stevo Pendarovski tregoi se ose nuk ka kapacitet politik që të ketë qëndrim personal ku do të qëndrojë gjatë gjithë kohës, ose Kovaçevski dhe Zoran Zaevi i kanë bërë presion serioz dhe i kanë treguar se ai është vetëm peng i tyre që e manipulojnë dhe drejtojnë me të siç dëshirojnë nga Qeveria….”, tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.

Reagimi i tillë vjen pas deklaratës së fundit të Presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski i cili tha se nuk ka mirëkuptim për kërkesën e opozitës për referendum, duke e cilësuar atë si një manipulim të Mickoskit.

“Pas 4 vite refuzim të marrëveshjeve kyçe që në mundësuan anëtarësimin në NATO, po mendoj për Marrëveshjen e Prespës, dhe marrëveshjen me Bullgarinë që na mundësoi të fillojmë bisedimet për anëtarësim në BE pas 17 vjet pritje. Mendoj se është e drejtë që VMRO-DPMNE dhe ‘E majta’, të definohen publikisht, para popullit maqedonas dhe qytetarëve maqedonas lidhur me atë që janë vërtetë, parti politike antievropiane”, ka thënë presidenti Pendarovski.

Kujtojmë se ditë më parë Pendarovski theksoi se nëse opozita del me formulim të ndershëm të pyetjes, të gjitha partitë politike duhet të dalin në referendum dhe të mos bojkotojnë.

“Nëse dikush nuk e kupton se kjo marrëveshje dypalëshe dhe ajo me Greqinë janë boshti sipas të cilit vazhdojmë drejt Evropës dhe dëshiron që një gjë e tillë të mos jetë më, më e ndershme është që pyetja e referendumit të thotë: A dëshironi të shkoni në BE me këto kushte? Pa përmendjen e marrëveshjeve dhe pikave. Opozita duhet të del me formulim të ndershëm dhe nëse pyetja është ashtu, të gjitha partitë duhet të dalin në referendum dhe jo të bojkotojnë”, ka thënë tutje, presidenti.

Nga partia në pushtet përsërisin qëndrimin se VMRO-DPMNE dhe “E Majta” kanë mbetur të vetme kundër BE-së dhe se tentimet e tyre për izolim të shtetit nuk do të kenë sukses.

“Sot, përveç Apasievit dhe partisë pro ruse “E majta” askush më nuk beson në gënjeshtrat e Mickoskit, aq më pak, dikush ta mbështesë idenë për referendum e cila shërben vetëm për përdorim personal brendapartiak”, thonë nga LSDM

Aktualisht po vijojnë konsultimet me ekspertë lidhur me metodologjinë, formatin dhe pyetjen e referendumit që do ta iniciojë opozita.

Nga partia e Mickoskit thonë se në momentin që do të ketë diçka konkrete opinioni do të informohet me kohë. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button