VMRO-DPMNE-ja mbron ministrat e Alternativës: E shkarkoni Alitin sepse nuk është i korruptuar

VMRO-DPMNE-ja mbron ministrat e Alternativës: E shkarkoni Alitin sepse nuk është i korruptuar

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ka ose jo bazë për shkarkimin e ministrit të Shoqërisë Informatike nga radhët e Alternativës, Admirim Aliti, u diskutua përsëri gjatë vazhdimit të debatit në Kuvend. Debati hyri në javën e dytë, ndërkohë që deri në shkarkimin e plotë të të tre ministrave të partisë së Afrim Gashit dhe në emërimin e ministrave të rinj nga radhët e Aleancës për Shqiptarët duket se ka një rrugë shumë të gjatë.

VMRO-DPMNE-ja u vu në mbrojtje të ministrit Aliti, duke thënë se pushteti nuk ka asnjë arsye për të shkarkuar një ministër të pakorruptuar. Kuadrot e tilla, thanë nga VMRO-DPMNE-ja, flasin për cilësinë e partisë së Gashit. Me lëvdatat e VMRO-së u pajtuan deputetët e Alternativës.

“Unë do të ju kuptoja nëse do të shkarkonit ministër, drejtor ose edhe zv/kryeministër nëse nuk e ka kryer detyrimin që ka, por konkretisht këtë ministër, s’mund ta kuptoj pse keni vendosur ta ndryshoni? Mos ndoshta ky ministër pse nuk ka qenë i korruptuar, ka qenë profesionist dhe ka punuar aq sa ka pasur kohë të punojë për një vit, nuk është i përshtatshëm dhe kështu me dhunë e largoni nga kabineti qeveritar?”, u shpreh Ivanka Vasilevska, VMRO-DPMNE.

“Shkarkimi brutal i ministrit, nëse bëhet për punën korrekte dhe të ndershme që e ka bërë, atëherë për ne është nderë. Më vjen keq që shkarkohen ministra të tillë. Qasja e tillë nuk është as morale dhe as evropiane. Nëse nisemi në Evropë me kështu mendësie, ta kemi të qartë dhe ta besojmë se nuk jemi të mirëseardhur”, deklaroi Safije Sadiki, Alternativa.

“Të kesh nderin dhe vullnetin, të punosh dhe të dalësh i ndershëm, pa asnjë denarë të fituar jashtë rrogës dhe të lihen pas vetes rezultate, kjo flet për cilësinë e një personi dhe për cilësinë e subjektit tuaj politik”, theksoi Ivanka Vasilevska, VMRO-DPMNE.

Deri sa debati vazhdonte, kryeministri Dimitar Kovaçevski lexonte libër dhe mbante kufje.

• Kërkoj falje koleg Misovski, por a është e lejuar që kryeministri të lëshojë muzikë deri sa unë flas?
• Ndoshta ju dëgjon juve ta ketë më të qartë çfarë flisni?
• Unë jam deputete dhe dua të më dëgjojë.
• Mos debatoni me kryeministrin, ju ikën koha. Unë ju siguroj se kryeministri ju dëgjon me vëmendje.
• Është shumë e pahijshme që kur dikush ju flet dhe ju drejtohet personalisht të mbani kufje, por secili me përgjegjësinë e vete.

Partia e Afrim Gashit do të largohet nga pushteti pas marrëveshjes së kryeministrit për koalicion me partinë e Arben Taravarit. Kryeministri Kovaçevski ka propozuar Krenar Llogën për ministër të ri të Drejtësisë, Fatmir Mexhitin për ministër të Shëndetësisë, Azir Aliun për ministër të Shoqërisë Informatike, Tiron Jajagën për zv/ministër të Mbrojtjes, Vjollcë Berishën për zv/ministre të Bujqësisë, të gjithë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

Nga partitë tjera, Kovaçevski po ashtu ka propozuar Kaja Shutovën për ministre të Ekologjisë, Agim Nuhiun për zv/ministër të Arsimit dhe Maja Manollevën për zv/ministre të Shëndetësisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button