VMRO-ja me kritika rreth caktimit të seancës për votimin e qeverisë


VMRO-DPMNE-ja reagon ndaj caktimit të seancës për votimin e Qeverisë për ditën e shtunë. Sipas partisë më të madhe opozitare, deputetët nuk kanë mjaftueshëm kohë të shqyrtojnë programin e Qeverisë dhe as biografinë e kudrove të propozuar për ministra. Reagimi i parë erdhi nga deputeti Antonio Milloshoski por në të njëjtën vijë është i gjithë grupi parlamentar i partisë.

Nëse thonë se arsyeja është shpejtimi për shkak të formimit të institucioneve efikase, manipulojnë, sepse nëse vërtetë dëshironin të shpejtojnë aq shumë, njëri nuk do të shkonte në pushim veror pas zgjedhjeve, dhe as tjetri nuk do ta ndërpriste seancën e Kuvendit për petulla. Me këtë mosrespektim të pushtetit ndaj deputetëve, për fat të keq, nuk do të krijohet atmosferë politike e qëndrueshme për punën e Kuvendit”-tha Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së

Nga VMRO-DPMNE-ja kujtojnë se afati për caktimin e seancës për zgjedhjen e Qeverisë është 15 ditë, kurse kryeparlamentari nuk u ka lënë as tre ditë të plota hapësirë. Sipas tyre, është e vështirë që të arrihet shtyrja e seancës por do t’i elaborojnë pakënaqësitë e tyre për këtë përshpejtim të procedurës.

Kryeparlamentari Xhaferi nuk përgjigjet për kritikat e opozitës. I pyetur nga Alsat, ai nuk i komenton ato.

Të shtunën Kuvendi do të hapë debatin për programin dhe kabinetin e ri qeveritar. Afati për debat është dy ditë.

Presidenti Stevo Pendarovski nga ana tjetër, ka shkruar në profilin e tij në “facebook” se nga Qeveria e re pret zbatimin e agjendës proevropiane dhe kuadro me dosje pa korrupsion.

Qeveria e re duhet plotësisht ta zbatojë agjendën e BE-së në sferat kyçe. Parakushti kryesor për sukses është të mblidhen personalitetet më të afta, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre politike dhe etnike. Pres të shoh njerëz me kapacitete proevripiane dhe demokratike, me dosje të pastra antikorrupsioni”-pohoi Stevo Pendarovski, president.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button