VMRO-ja me procedurë për shfuqizimin e regjistrimit, LSDM: Nënshkrimet s’do ta ndalin procesin

VMRO-DPMNE-ja pret publikimin e ligjit për regjistrim në Gazetën Zyrtare për të nisur procedurën për shfuqizimin e tij. Ai pret mbështetje masive nga qytetarët të cilët duhet ta firmosin nismën, e cila, sipas Mickoskit, është jashtë standardeve evropiane.

I ftojmë edhe partitë e tjera politike që vlerësojnë se ky nuk është operacion statistikor por politik, të qëndrojnë pas kësaj iniciative. Nuk do ta deponojmë në Kuvend por përmes njësive rajonale të Ministrisë së Drejtësisë do të fillojmë mbledhjen e nënshkrimeve. Presim mbështetje masive. Më pas do ta dorëzojmë te kryetari i Kuvendit dhe presim që në njërën nga seancat të vendoset në rend dite ligji me të cilin do të shfuqizohet ligji për regjistrim i miratuar me forcë dhe me keqpërdorim të flamurit evropian -deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

VMRO-DPMNE-ja nuk bën ftesë për bojkot të regjistrimit, duke e lënë atë në dorë të vetë qytetarëve.

Nga LSDM-ja thonë se procedurën e regjistrimit nuk mund ta pengojnë nënshkrimet por shfuqizimi i ligjit, gjë që sipas tyre, nuk do të ndodhë.

Mbledhja e nënshkrimeve si procedurë duhet të çohet deri në fund. Regjistrimi nuk mund të pengohet pa miratimin e aktit ligjor për ndalimin e tij. Deri sa ligji është në fuqi, Regjistrimi do të zbatohet – tha Sllavjanka Petrovska, deputete e LSDM-së.

Sipas pushtetit, regjistrimi është statistikë e patjetërsueshme për krijimin e politikave ekonomike, sociale dhe demografike.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button