VMRO: Kryeministri shqiptar, nënçmim i Demokracisë

VMRO: Kryeministri shqiptar, nënçmim i Demokracisë

Gazetare: Fatlume Dervishi

Nuk është e qartë akoma se kur dhe si do të ndodhë takimi i ardhshëm i liderëve mes kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kreut të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, shkruan Alsat.

Takimin e paralajmëroi një ditë më parë kryeministri, megjithatë nga partia opozitare sot as nuk konfirmuan dhe as nuk hodhën poshtë mundësinë e mbajtjes së tij. Kovaçevski tha se në këtë takim i cili sipas tij do të bëhet së shpejti, duhet të flitet për qeverinë teknike, të cilën e quajti detyrim ligjor për të gjitha partitë.

Por nga partia më e madhe në opozitë thonë se ka kohë për të vendosur rreth pjesëmarrjes së tyre në qeverinë teknike, e cila do të duhet të fillojë mandatin nga 28 janar. Kundërshtimi i tyre kryesor është që kjo qeveri të drejtohet nga kuadër i zgjedhur nga BDI-ja, në rastin konkret, Talat Xhaferi.

“Mendoj se është nënçmim për demokracinë në vend dhe lojë me vullnetin e qytetarëve që një partie politike e cila ka vetëm 12 deputetë në Kuvend, 10% nga numri i përgjithshëm i deputetëve, ta marrë vendin e kryeministrit. Por, me këtë LSDM-ja tregon vetëm që është nënkontratok i BDI-së dhe BDI-ja është ajo që drejton qeverinë sepse pas një vendimi të tillë, BDI-ja do ta ketë edhe kryeministrin, edhe zv.kryeministrin e parë”, u shpreh Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Në qeverinë teknike partisë opozitare me më shumë deputetë i takon pozita e ministrit të Brendshëm, ministrit të Punës dhe Politikës Sociale dhe zv/ministrave plotësues, Financa, Bujqësi dhe Administratë. Ata thonë se pjesëmarrjen në qeverinë teknike e mendojnë seriozisht edhe për shkak edhe të të përpjekjeve të tjera të pushtetit, për të manipuluar të gjithë procesin zgjedhor, posaçërisht me moszgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së që i takon opozitës.

“Loja që bëjnë me këtë proces tregon se mendojnë për manipulime të procesit zgjedhor dhe në këtë drejtim duhet që edhe ne si VMRO-DPMNE seriozisht të mendojmë se si do të veprojnë në periudhën e ardhshme por atë që mund ta them me siguri është se nuk do të lejojmë që asnjë votë e qytetarëve të manipulohet”, tha Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Vendi i anëtarit bosh në KSHZ i takon opozitës shqiptare dhe VMRO-ja është dakord të mbështesë kandidatin që ata do të zgjedhin nga lista me pesë emra. Megjithatë, për t’u zgjedhur, nevojitet konsensus më i gjerë dhe 80 vota në Kuvend. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button