VMRO nuk do ta aktivizojë bllokadën në Kuvend për emërimin e ambasadorit në Uashington

VMRO nuk do ta aktivizojë bllokadën në Kuvend për emërimin e ambasadorit në Uashington

Gazetar: Lluka Andreev

Me ardhjen e kërkesës për dëgjim të propozimit për ambasador në Uashington, deputeti Antonio Milloshoski do ta thërrasë komisionin parlamentar për politikë të jashtme, ku ambasadorët e ardhshëm do të prezantojnë programin e punës. Milloshoski tha për Alsat se aktualisht janë duke pritur që të dëgjohen dy propozime, ambasador në Bratisllavë si dhe për në Otavë ku po dërgohet Agron Buxhaku.

Sipas deputetit të VMRO-DPMNE-së, në këtë rast nuk do të aktivizohet bllokada e partisë opozitare në Kuvend.

“Prioriteti i shtetit është që të emërohet ambasadori në Uashington e më pas do të vijojnë gjërat e tjera. Republika e Maqedonisë nuk ka në SHBA ambasador rreth katër viteve”, tha Antonio Milloshoski- kryetar i Komisionit për politikë të jashtme.

Sipas informacioneve jozyrtare, Sekretari aktual i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Zoran Popov, është propozim i pranueshëm për Uashingtonin, edhe pse ende nuk ka ndonjë konfirmim.

Ai mori pjesë edhe në takimet e Dialogut Strategjik që Maqedonia e filloi me SHBA-në në fillim të këtij muaji. Më herët për pozitën në SHBA kanë aplikuar Ljubomir Fërçkoski dhe Teuta Arifi, por nuk kanë marrë përgjigje pozitive, pas çka diplomacia maqedonase është kritikuar ashpër.

Në ndërkohë, agremanë kanë marrë propozimet për në misionin e OSBE-së në Vjenë, në Oslo dhe Sofje ku vendet vakante do të plotësohen nga Edmond Ademi, Driton Kuçi dhe Agneza Rusi. Ata pritet të vijnë së shpejti në Kuvend për seancë dëgjimore, por nga Ministria e Jashtme nuk kanë përgjigje për pyetjen se kur do ta kërkojnë atë.

Ministri Bujar Osmani ka kohë që ka paralajmëruar se së shpejti do të mbushet rrjeti diplomatik i vendit.

“Pekini, Brazili, Beogradi, Tel Avivi, Kajro dhe Konsullata e Përgjithshme në Toronto janë vende vakante për të mbushur rrjetin diplomatik”, thonë nga MPJ.

Prezantimi i platformave para komisionit kryesor parlamentar është faza e fundit para nisjes së ambasadorëve për funksionin e tyre diplomatik./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button