VMRO propozon paketë masash anti-krizë: Të subvencionohet rryma për kompanitë

VMRO propozon paketë masash anti-krizë: Të subvencionohet rryma për kompanitë

Gazetar: Lluka Andreev

VMRO-DPMNE propozoi një paketë masash për përballimin e krizës. Hristijan Mickoski, thotë se pesë propozimet e tyre do të zbusin drejtpërdrejt pasojat në standardin jetësor, do të shpëtohen vendet e punës dhe do të mbështeten kompanitë. Mickoski kërkoi që EMV-ja t’ia lërë bizneseve tepricat e energjisë elektrike dhe të heqë “ditën jopune të së dielës”, që Qeveria të subvencionojë çmimin e energjisë elektrike për kompanitë nga tregu i rregulluar me pesëdhjetë milionë euro, të shtyhet tatimi gradual, mjetet nga bonot e thesarit të orientohen tek ekonomia, por edhe të aplikohet “vikend pa TVSH” për produktet ushqimore bazë.

“Vetë Qeveria mburrej se ka pasur rritje të arkëtimit të TVSH-së, por kjo ka ndodhur vetëm për një arsye. Jo sepse kemi më shumë aktivitet në ekonomi, jo sepse ka më shumë disiplinë fiskale, por vetëm për një gjë, për shkak të inflacionit jashtëzakonisht të lartë. Prandaj ne propozojmë një fundjavë pa TVSH, për produktet ushqimore bazë”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Pas pakos së masave të paralajmëruara dje nga kryeministri Kovaçevski, Mickoski sot tha se Qeveria ka dështuar në përballjen me krizën. Sipas tij, paketa aktuale e qeverisë nuk mjafton dhe nuk i jep zgjidhje rritjes së çmimeve të ushqimeve. Megjithatë, Mickoski u shpreh i kënaqur që disa nga rekomandimet e tij janë pranuar.

“Është mirë që Qeveria e pranoi propozimin tim dhe është në rrugë të funksionojë, për prokurimin e energjive që nevojiten për të reduktuar pasojat e krizës dhe që pranoi propozimin që kam dhënë – Ndërmarrjet Publike të Ujësjellësit, ata i quajnë stacione matëse të pompimit, institucionet shëndetësore dhe shkollat të hyjnë në tregun e rregulluar të energjisë elektrike. Kjo do të shpëtojë vendet e punës”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Por LSDM-ja kërkoi nga VMRO-DPMNE, që të mos e bllokojë pakon e re qeveritare prej 350 milionë eurosh, sepse zbatimi i masave ka të bëjë me ndryshimet ligjore. Mickoski paraprakisht tha se propozimet e reja të qeverisë tashmë kanë kaluar filtrin parlamentar, përveç atyre që mund të zbatohen me dekret, për shkak të situatës së krizës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button