Volf shpjegon diferencën: Verstapen më makinën e F1, garon përball makinave F2

Me 11 fitore ne po kaq gara të zhvilluara deri më tani në këtë botëror (9 Maks Verstapeni e dy Serhio Perez) makina “Red Bull” ka befasuar të gjithë me paraqitjen e saj. Një makinë e pakapshme nga rivalët, që e mbyll garën me një diferencë shumë të madhe nga skuadrat e tjera. Një imazh ky i këtij botërori të Formula 1, që askush nuk e kishte imagjinuar. Toto Volf, drejtori sportiv i Mercedes, komenton kështu epërsinë që makina “Red Bull” ka me rivalët.
“Do të donim të paraqiteshim më mirë në garë, por kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi e para renditet një makinë që ka 34 sekonda nga vendi i dytë. Dhe, me shumë gjasa, në shumicën e garës nuk ka dhënë maksimumin e saj. Kjo tregon diferencën e madhe mes skuadrave”.
“Makina Red Bull e Maks Verstapenit ishte si një makinë e Formula 1 që garon mes atyre të Formula 2. Nëse Hamilton e Norris duelonin për podiumin dhe ishin si dy makina të F2, Verstapen ishte i një kategorie më lart. Kjo tregon se na duhet të punojmë më shumë për të qenë kompetitivë sezonin tjetër”, tha Volf.
“Mendoj se për vitin 2024 janë të nevojshme shumë ndryshime. Drejtimi në të cilin është fokusuar puna jonë për të ardhmen është shumë interesante. Po shqyrtojmë me kujdes çdo koncept, për të mos patur më surpriza të tilla. Çdo filozofi që kemi parë te makinat e tjera është i rëndësishëm”, tha në fund Toto Volf.