Volkswagen rrit investimet e veturave elektrike në Spanjë në 10 miliardë euro

Prodhuesi gjerman i veturave Volkswagen dhe partnerët do të investojnë 10 miliardë euro për të prodhuar vetura elektrike dhe me bateri në Spanjë, ka thënë shefi ekzekutiv i saj të enjten, 3 miliardë euro më shumë se sa ishte zotuar më parë, shkruan Reuters.

Kompania njoftoi gjithashtu marrëveshje partneriteti me ndërmarrjen më të madhe të energjisë elektrike në Spanjë Iberdrola, e cila do të ngrejë një park diellor për të furnizuar pjesërisht impiantin e baterive që do të ndërtohet pranë Valencias.

Iberdrola do të investojë 500 milionë euro në planin e elektrifikimit, u tha gazetarëve shefi ekzekutiv Ignacio Sanchez Galan, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Volkswagen ka thënë në mars se do të investonte 7 miliardë euro për të ndërtuar një fabrikë baterish dhe për të prodhuar automjete elektrike në dy fabrikat e veturave në Spanjë, por shefi i kompanisë Herbert Diess ka thënë se kjo shifër ishte rritur në 10 miliardë.

Prodhuesi gjerman i veturave synon të fillojë ndërtimin e fabrikës 40 gigavat-orëshe (GWh) në tremujorin e parë të vitit 2023, me prodhimin serik që do të fillojë në vitin 2026. Deri në vitin 2030, kantieri do të punësojë më shumë se 3 mijë persona.

Spanja, prodhuesi më i madh i veturave në Evropë pas Gjermanisë, nisi muajin e kaluar një proces tenderimi për rreth 3 miliardë euro kredi dhe grante për të promovuar prodhimin e automjeteve elektrike (EV). Volkswagen dhe njësia e tij spanjolle SEAT kanë paraqitur një ofertë.

Kompania do të investojë 3 miliardë euro në fabrikën në Sagunto, 3 miliardë euro të tjera në katër fabrika SEAT, duke përfshirë fabrikën Martorell pranë Barcelonës dhe 1 miliardë në Pamplona.

LEXO EDHE:

Back to top button