Vrasja e mbrëmshme shkakton reagimin e partive politike, kërkohet dhe dorëheqja e Spasovskit

Vrasja e mbrëmshme shkakton reagimin e partive politike, kërkohet dhe dorëheqja e Spasovskit

Gazetare: Fatlume Dervishi

VMRO-DPMNE-ja kërkon që institucionet të hetojnë lidhjen eventuale të vrasjes së dyfishtë me partitë në pushtet. Sipas tyre, ngjarjet e këtilla kanë qenë shumë të zakonshme në periudhën e menaxhimit të Ministrisë së Brendshme nga Oliver Spasovski.

“Institucionet duhet të përgjigjen se a ka kjo vrasje e dyfishtë konotacion politik dhe a është e lidhur me krahët e kriminalizuara të BDI-së dhe LSDM-së? Deri sa Spasovski për 8 vjet është kreu i policisë kanë ndodhur qindar vrasje të pazbardhura. Çfarë tjetër duhet të ndodhë që Spasovski të japë dorëheqje? Me Kovaçevskin si kryeministër, Grubin si zv/kryeministër dhe Spasovskin si ministër të brendshëm u kthyen vitet 90-ta, me vrasje nëpër qytete”, tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

LSDM-ja thotë se institucionet duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre. Kreu i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri nga radhët e kësaj partie Mile Talevski thotë se zbardhja e zhvillimeve kriminale ka pasur rritje gjatë periudhës së fundit.

“T’u besojmë institucioneve, t’i lejojmë institucionet ta bëjnë punën e tyre, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria. E dimë se me komunikatë Ministria e Brendshme thotë se janë ndërmarrë të gjitha aktivitetet teknike operative që janë në kompetencë të tyre. Pres që ky institucion për një kohë sa më të shpejtë të na japë informacion të saktë për gjithçka që ka ndodhur dhe që rasti të zbardhet shpejt”, deklaroi Mile Talevski, LSDM.

LSDM-ja është e kënaqur me punën e deritanishme të Spasovskit për zbardhjen e veprave kriminale. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button