Vrasja në Tetovë, merret në pyetje një person dhe kontrollohen tre lokacione

Vrasja në Tetovë, merret në pyetje një person dhe kontrollohen tre lokacione

Gazetar: Suad Bajrami

Ministria e Punëve të Brendshme informon se është ndaluar një person, në lidhje me vrasjen e 5 korrikut në Tetovë ku si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit, ndërroi jetë 39-vjeçari R.T. Gjithashtu, policia ka kryer edhe bastisje në disa lokacione në fshatin Gajre, ku ka gjetur dhe disa mjete të cilat dyshohet të ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes.

“Pas dhënies së urdhrave nga ana e Gjykatës Themelore Tetovë janë kryer bastisje në tre lokacione në fshatin Gajre, prej ku janë marrë mjete të cilat mund të jenë të dobishme për pastrimin e ngjarjes, ndërkaq në Stacionin e Policisë në Tetovë një person është mbajtur në bisedë informative. Veprimet e tërësishme po ndërmerren në koordinim me Prokurorinë Publike kompetente, ndërkaq në tërë rastin nga momenti i parë janë të kyçur edhe zyrtarët nga Sektori për Krim Teknikë”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ditë më parë, nga Prokuroria informuan se po punojnë në mbledhjen e provave, mes tjerash edhe në mbledhjen e incizimeve të kamerave të sigurisë nëpër objektet e lagjes.

Ndryshe, në mbrëmjen e 5 korrikut, në rrugën Shtipska në Tetovë, nga një veturë e tipit Mercedes e cila ka qenë në lëvizje, është shtënë në drejtim të makinës BMV dhe si pasojë është vrarë 39-vjeçari nga Tetova.

Siç informoi Alsat, rasti dyshohet të jetë i lidhur me ngjarjen e para disa muajve kur pati shkëmbim zjarri para Urgjencës në Tetovë, të cilës i parapriu një zënkë verbale përpara Gjykatës së Tetovës. Gjatë këtij incidenti të armatosur më 11 janar të këtij vit, mbetën të plagosur dy vëllezër nga fshati Gajre i Tetovës, njëri nga të cilët më pas ndërroi jetë.

Përleshja me armë vazhdoi edhe pas katër muajsh, përkatësisht më 11 prill, me çrast me breshëri automatiku, u gjuajt në drejtim të një objekti në Rrugën e “Ilinidenit”./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button