Vrasje në Shtip, 54-vjeçari nën ndikim të alkoolit goditi për vdekje nënën e tij
Vrasje në Shtip, 54-vjeçari nën ndikim të alkoolit goditi për vdekje nënën e tij
Gazetar: Mihajllo Donev
Një 54-vjeçar nga Shtipi në orët e para të ditës së sotme nën ndikimin e alkoolit, ka vrarë nënën e tij 84-vjeçare me mjet të mprehtë në banesën familjare. Vrasja është konfirmuar edhe nga policia.
“Sot, në orën 04:15, në Shtip, zyrtarë policorë nga SPB Shtip e kanë arrestuar 54-vjeçarin S.Z. nga Shtipi. Ai dyshohet se rreth orës 02:00, në shtëpinë familjare në Shtip, me mjet të mprehtë i ka shkaktuar plagë therëse nënës së tij 84-vjeçare, e cila më pas ka ndërruar jetë. Mjeku i Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit publik trupi i pajetë i të ndjerës është dërguar për autopsi. Ekspertizën në vendngjarje e ka kryer një ekip nga Sektori për Punë të Brendshme Shtip, nën drejtimin e Prokurorit Publik nga Prokuroria Themelore Publike Shtip, gjatë së cilës mjeti i mprehtë është gjetur dhe sekuestruar për procedura të mëtejshme”, deklaroi – Goce Andrejevski, zëdhënës i MPB-së.
Siç mësohet, bëhet fjalë për Stojan Zarkov nga Shtipi, ish-pronar i një prej kafeneve më të njohura në qendër të qytetit, e cila ka qenë e mbyllur për më shumë se një dekadë. Fjala është për kafenenë “Grof”, ku në vitin 2004 u vra 30-vjeçari Borçe Dimitrov, pjesëtar i njësive speciale policore “Tigrat”. Mediat lokale në Shtip njoftojnë se 54-vjeçari Zarkov nga ajo periudhë ka qenë vazhdimisht nën ndikimin e alkoolit dhe është marrë rregullisht me bixhoz. Zarkov prej vitesh e kishte keqtrajtuar fizikisht gruan e tij, e cila ndërroi jetë në Klinikën e Psikiatrisë pasi më herët kishte tentuar tre herë t’i jepte fund jetës. Pas vdekjes së saj, Zarkov vazhdoi me dhunë fizike ndaj prindërve të tij, ndërsa policia shkonte rregullisht në shtëpinë e tyre. Babai i tij ndërroi jetë para disa vitesh. Sipas burimeve nga Shtipi, ai kishte vdekur me hematoma në fytyrë dhe trup, të cilat ishin pasojë e dhunës shumëvjeçare fizike që kishte ushtruar mbi të i biri. /Alsat.mk







