Vritet në Greqi Orhan Bajrami nga Shkupi, autorët në arrati

Vritet në Greqi Orhan Bajrami nga Shkupi, autorët në arrati

Gazetare: Evi Shkopi

Rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm është hapur zjarr mbi dy shtetas të Maqedonisë së Veriut të cilët ndodheshin në Hallkidiki të Greqisë. Nga të shtënat, siç raportojnë mediat greke, ka humbur jetën 39 vjeçari Orhan Bajrami, i njohur me pseudonimin Oki, ndërsa është plagosur rëndë shoku i tij, 45 vjeçari Sead Slezoviq, i cili është transferuar në spitalin në Poligiros. Detajet fillimisht janë publikuar në mediat greke të cilat ngjarjen e përshkruajnë si “ekzekutim”. Mediat greke shkruajnë se sipas dëshmitarëve, sulmuesit e maskuar hynë në dhomën e hotelit ku po qëndronin personat në fjalë dhe filluan të qëllojnë më shumë se 20 plumba. Ngjarja është konfirmuar zyrtarisht edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

“Pas informacionit për vrasjen në Halkidiki të Greqisë, Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Athinë ka kontaktuar institucionet kompetente, përkatësisht policinë në Selanik dhe prej aty është konfirmuar se në Sani Vilas të Hanioti dy persona të maskuar kanë hapur zjarr mbi dy shtetas të Maqedonisë së Veriut. Të dy u dërguan në spitalin e përgjithshëm të Halkidikit, ku njëri nuk u mbijetoi plagëve, ndërsa tjetri për nga ashpërsia e plagëve të marra, u transportua në një spital tjetër, në Poligiros. Sipas informacioneve të Ambasadës, disa ekipe të policisë greke ndodhen aktualisht në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Viktima Orhan Bajrami- Oki portretizohet si një biznesmen në fushën e kazinove dhe prodhimit të pijeve. Ngjarja e mbrëmshme jozyrtarisht po kategorizohet në mediat e Greqisë fqinje dhe atyre në vend si pastrim hesapesh mes narko grupeve kriminale në territorin e Shkupit. Gjatë viteve të fundit kanë ndodhur disa ekzekutime të tilla. Një muaj më parë pas një përleshje me armë në Kosovë mbeti i vrarë Blerim Daçi, nga Çairi. Më herët në Çarshi të Shkupit, më 6 mars të këtij viti u vra Jeton Krivanjeva – Zhilla dhe Enes Iseni. Në maj 2021 duke lëvizur me makinën e tij nga një atentat mbeti i vrarë Kamer Idrizi. Një vjet më vonë dy sulmues të armatosur me pushka automatike kanë hyrë në një çajtore në afërsi të Shkollës Fillore “Imri Elezi” të Çairit të Shkupit dhe e kanë vrarë Jonuz Idrizin, vëllain e Kamerit. Në vitin 2019-të pesë persona të maskuar kanë dalë nga një automjet dhe kanë gjuajtur drejt restorantit në hotelin “Aleksandar Pallas”, ku thuhet se kanë qëndruar rivalët e të ashtuquajturit grupi i “Bellanocës”. 10 vjet më parë kishte ndodhur një tjetër sulm me armë zjarri, i ngjashëm me atë në Çarshi të Shkupit. Vrasësi, i maskuar dhe me armë ka hyrë në çajtore dhe e ka vrarë Xhelal Ajetin me 30 plumba. Ekzekutime të ngjashme kanë ndodhur edhe në vitin 2018 dhe 2005. Megjithatë asnjë nga këto vrasje nuk është zbardhur deri më tani nga policia dhe organet e ndjekjes. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button