Vuçiç pas bisedës me Palmer: Jemi për kompromis të vërtetë me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ditën e sotme ka pasur një bisedë me të dërguarin special të Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ku kanë diskutuar lidhur me shumë çështje që i përkasin vendit dhe rajonit. Sipas mediave në serbi, Vuçiç dhe Palmer janë ndalur edhe tek vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne kemi biseduar për shumë çështje të rëndësishme, si dhe të gjitha dallimet që ekzistojnë midis nesh”, mësohet të ketë thënë Vuçiç gjatë bashkëbisedimit me Palmer. Më tej Presidenti i Serbisë ka theksuar se vendi që ai drejton e ka me përparësi politikën e jashtme dhe gjetjen e zgjidhjes për ngërçet në rajon.

Ndërkohë nga ana e tij Zyrtari amerikan theksoi se një nga interesat prioritare të SHBA-së është stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimor.
“Presidenti Vuçiç theksoi posaçërisht se Serbia do të vazhdojë të përpiqet për arritjen e një kompromisi të vërtetë dhe të qëndrueshëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke mbrojtur interesat e serbëve atje, si dhe duke ruajtur shtetin dhe interesat kombëtare të Serbisë”, shkruhet ndër të tjera në deklaratën e Presidencës serbe.
Palmer theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe shtoi se ai pret që dialogu të vazhdojë së shpejti, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe duke rikonfirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara për dialog dhe bisedime për çështje të diskutueshme.

Të dy bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu rëndësinë e lirive të mediave në rajon, situatën ekonomike, si dhe pasojat që ka lënë pandemia në ekonomitë e të gjitha vendeve, me theks në masat e rimëkëmbjes ekonomike, si dhe bashkëpunimin e mëtejshëm ekonomik midis Serbisë dhe Shtetet e Bashkuara.

LEXO EDHE:

Back to top button