Vuçiq i quan “përrallë” kushtet e Kurtit për Asociacionin

Vuçiq i quan “përrallë” kushtet e Kurtit për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe – mes tjerash tha se “Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”.

Kushtet e Kurtit i ka komentuar menjëherë presidenti i Serbisë, Vuçiq. Ai i ka cilësuar “përrallë” kushtet e kryeministrit të Kosovës për formimin e Asociacionit.

Në një seancë të Kuvendit të Serbisë, gjatë diskutimeve për Kosovën, Vuçiq ka thënë se Kurti në fakt “nuk do të formojë Asociacionin”.

Kryeministri i Kosovës, gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, ka numëruar gjashtë kushtet që duhet të përmbushen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se “Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi; Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5); Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane; Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale; Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën; Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE, që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”.

Për kushtet e Kurtit ka reaguar edhe opozita në Kuvendin e Kosovës, ndonëse kryeministri ka thënë se krerët opozitarë kanë qenë në dijeni për to.

LEXO EDHE:

Back to top button