Vuçiq: Njohja është dëshirë e BE-së, jo e jona

Vuçiq: Njohja është dëshirë e BE-së, jo e jona

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se njohja reciproke e Serbisë dhe Kosovës ishte dëshirë e BE-së por jo e Serbisë, shkruan Alsat.

Deklarata e tij vjen si reagim ndaj raportit të Parlamentit Evropian për Serbinë, ku për herë të parë shkruhet shprehimisht pritshmëria e BE-së për “njohje reciproke” mes Serbisë dhe Kosovës. Vuçiq tha se korniza e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të fokusohet mbi “normalizimin e marrëdhënieve” mes dy vendeve, dhe jo njohjes.

“Njohja reciproke është dëshira e tyre, është mirë që ata e duan, por ne nuk e duam. Dhe siç thashë – të gjithë kanë punën e tyre, ata kanë të tyren, ne kemi tonën”, tha Aleksandar Vuçiç, President i Serbisë.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Çarlls Mishell gjatë qëndrimit në Kosovë tha se fokusi i Institucioneve të Kosovës duhet të jetë procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara në të kaluarën.

“Të dyja palët duhet të përparojnë në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara”, u shpreh Çarlls Mishell, President i Këshillit të Evropës.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se që të arrihen rezultate konkrete në procesin e dialogut, edhe Serbia duhet ta njohë realitetin.

“Për Kosovën, dialogu nuk është vetëm kërkesë nga ndërkombëtarët por proces jetik”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme (AFET) miratoi dje raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën. Parlamenti Evropian për herë të parë ka thënë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button