Vuçiq: Serbia dëshiron kompromis me Kosovën

Vuçiq: Serbia dëshiron kompromis me Kosovën

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Në betimin e tij për mandatin e dytë si president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se do të mbrojë integritetin territorial të Serbisë, siç tha me Kosovën si pjesë e saj. Megjithatë Vuçiq tha se Serbia dëshiron kompromis me Kosovën për zgjidhje përfundimtare.

“E ndërlidhur me krizën në Ukrainë, çështja e Kosovës do të jetë edhe më e rëndë për ne që të zgjidhet. Kemi problem se s’kemi me kë të bisedojmë. Në dëshirën tonë që të arrijmë deri tek kompromisi, në dëshirën që të kërkojmë kompromis, e di se këtë nuk dëshiron ta dëgjojë askush në Serbi, por ne duhet të kërkojmë kompromis, ne duhet të luftojmë për kompromis, ne duhet të ruajmë popullin tonë në Kosovë”, deklaroi Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Vuçiq thuri lavde edhe për Kishën Serbe për vendimin për njohjen e autoqefalisë të Kishës Ortodokse Maqedonase.

“Do të falënderoj Kishën Serbe për vendimin e guximshëm që në mënyrë plotësuese do të kontribuojë në miqësinë dhe vëllazërinë që kemi me popullin maqedonas. Duke ju falënderuar ju dhe politikave tona, sot Serbia është vendi më i dashur për banorët e Maqedonisë, ndërsa ne i ndjejmë si vëllezër dhe s’kemi asnjë problem. Me Shqipërinë marrëdhëniet janë çdo ditë më të mira e më të forta”, tha Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Ky është mandati i dytë presidencial i Vuçiqit, aq sa më së shumti lejohet sipas ligjeve në Serbi. Vuçiq e ka bërë betimin në momentin kur Serbia, e cila aspiron anëtarësimin në BE, refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Serbia, e cila tradicionalisht ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Rusinë, është kryesisht e varur nga gazi rus. Ai llogarit edhe në mbështetjen e Rusisë në bllokimin e anëtarësimit të Kosovës, në institucionet ndërkombëtare. Një ditë para ceremonisë së betimit, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shprehu shpresën se Serbia do t’i bashkohet vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pas formimit të qeverisë së re./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button